KMDLNJ: Sa më shpejtë të formohen institucionet, situata nuk ka qenë asnjëherë më e qartë

0

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të institucioneve, pasi sipas tyre, që nga përfundimi i luftës, kurrë nuk ka pasur një situatë më të qartë dhe asnjëherë nuk ka qenë më lehtë që institucionet e Kosovës të formohen.

KMDLNJ thekson se duhet gjetur marrëveshje edhe për pozitën e presidentit, pasi kthimi në pikën zero vetëm sa i bën dëm Kosovës.

Lexoni të plotë postimin:

Më datë 4 mars 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve doli me rezultat preliminar për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Pas periudhës së ankimimit dhe pas përmbushjes së afateve ligjore, KQZ–ë do të dalë me rezultatet përfundimtare pas së cilave do të fillojë procedura e formimit të institucioneve të Kosovës, në bazë të rezultateve të arritura në zgjedhjet e fundit.

Që nga përfundimi i luftës, kurrë nuk kemi pasur një situatë më të qartë dhe asnjëherë nuk ka qenë më lehtë që institucionet e Kosovës të formohen, pa asnjë vonesë.

Partia fituese LVV-ë e që ka bërë koalicion me Listën Guxo ka fituar afërsisht 50 % të votave të përgjithshme e që , përkthyer në deputetë del t’i ketë fituar 58 mandate të deputetit. Me një fjalë, pas zgjedhjes së kryetarit/es dhe kryesisë së Kuvendit hapet rruga që të votohet edhe për kryeminister dhe kabinet qeveritar të Kosovës e që, sipas KMDLNj – së është çështje e natyrës teknike.

Është paralajmëruar mundësia që të ketë probleme gjatë zgjedhjes së presidentes për çka, sipas KMDLNj–së duhet të ketë një marrëveshje politike dhe se opozita e ardhshme duhet ta dëshmojë konstruktivitetin opozitar duke mos e bllokuar këtë proces e që nënkupton se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja për të cilat KMDLNj–ë vlerëson se janë krejtësisht të panevojshme dhe lehtësisht mund të shmangen.

Kthimi i gjendjes në pikën zero vetëm sa i bën dëm Kosovës dhe proceseve nëpër të cilat duhet të kalojmë dhe nga këto zgjedhje eventuale askush nuk do të fitojë, të gjithë do të humbin. Pas dhënies së betimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës ata më nuk janë përfaqësues dhe mbrojtës vetëm të interesave të subjektit që i takojnë por i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Edhe kryeministri i ardhshëm sikur edhe kabineti qeveritar duhet të përfaqësojë dhe mbrojë interesat e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë politike, etnike, moshës, gjinisë, besimit fetar apo statusit në shoqëri.

Ndonëse , sipas fuqisë së votës, fituesit apo kandidatit që e propozon i takon, me një automatizëm, kryetari i Kuvendit sikur edhe e drejta që mandatari ta formojë qeverinë e cila pastaj do të votohej në Kuvendin e Kosovës.

Realiteti i krijuar pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 ku fituesi i ka thuaja 50% të votave dhe kur kandidatja për president, znj.Vjosa Osmani i ka afërsisht 310.000 vota duhet të ngjallin respekt te partitë opozitare dhe duhet të respektohen këto vota sepse, demokracia matet me vota që janë përcaktuese për formim të institucioneve dhe pastaj, tregues i demokracisë gjatë qeverisjes është sjellja e pozitës ndaj opozitës dhe respektimi i saj.

Pasi situata është e qartësuar shumë e që pasqyrohet me fuqinë e votës, KMDLNj kërkon, që pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, të formohen të gjitha institucionet e Kosovës, pa bërë asnjë pengesë apo kushtëzim.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, sipas KMDLNj –së, jo që duhet të qëndrojnë në sallën e Kuvendit sa për ta bërë kuorumin e domosdoshëm por duhet të votojnë të gjithë për zgjedhjen e kryeministrit, kabinetit qeveritar dhe presidentes, sipas propozimit të koalicionit fitues.

Në këtë mënyrë opozita do ta respektonte parimin e demokracisë që vota është përcaktuese për formim të institucioneve e jo ndonjë kushtëzim eventual, do ta dëshmonte se është opozitë konstruktive, për shtetin dhe qytetarët dhe, pa asnjë dyshim do ta fitonte një përparësi politike.

Opozita e ardhshme, me një qasje konstruktive në formimin e institucioneve, do të krijonte mundësinë që pozita të fillojë realizimin e premtimeve dhe përgjegjësive, e që, sipas KMDLNj-së nuk janë aspak të lehta dhe se disa procese janë të pamundur të realizohen pa opozitën.

KMDLNj pret dhe kërkon që opozita të reflektojë në interes të shtetit dhe qytetarit duke votuar, pa asnjë rezervë dhe pa asnjë kusht formimin e institucioneve të Kosovës. Realisht, tani e kemi një situatë ku pozita e ardhshme i merr të gjitha përgjegjësitë kurse opozita e ardhshme është komode për faktin se nuk e merr asnjë përgjegjësi që i takon pozitës por do të jetë korrigjuese e pozitës dhe, në këtë mënyrë do të ketë mundësi të bëjë reforma brenda subjektit që e përfaqësojnë.

Në një demokraci të qëndrueshme, funksionale dhe afirmative, pozita, pavarësisht fuqisë politike që e ka fituar do të bënte përpjekje që ta mbajë opozitën afër. Në rastin konkret, pozita e ardhshme do të mund të ofronte postin e kryetarit të Kuvendin për opozitën e që aspak nuk do të ndikonte në humbjen e fuqisë politike të pozitës. Përkundrazi, vetëm sa do ta forconte pozitën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *