KOMF: Moskonstituimi i Kuvendit ndikon në shumë procese të mbrojtjes së fëmijëve

Në shenjë pakënaqësie rreth moskonstituimit të Kuvendit dhe ndikimit të kësaj bllokade në shumë procese të mbrojtjes së fëmijëve, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka organizuar aktivitetin me moton: “Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve”.
Në komunikatën e këtyre organizatave thuhet se qëllimi i këtij aktiviteti është të nxisë reflektim dhe përgjegjësi institucionale të deputetëve ndaj realitetit të vështirë me të cilin përballen shumë fëmijë në Kosovë dhe nevojave të tyre.
Më tej thuhet se si pasojë e kësaj bllokade, shumë politika që ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe jetën e fëmijëve, vazhdojnë të mbesin të pa miratuara.

Stagnimi i politikave dhe reformave në fushën sociale

Reformat e domosdoshme për riorganizimin dhe fuqizimin e politikave sociale kanë stagnuar. Vazhdon të mungojë miratimi i disa projektligjeve kyçe, si: Projektligji për Ndihmën Sociale; Projektligji për të Drejtat, Vlerësimin, Trajtimin dhe Njohjen e Statusit, Shërbimet dhe Përfitimet për Personat me Aftësi të Kufizuar; Projekt Kodi Civil si dhe reforma që rrjedh nga Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare. Të gjitha këto procese janë thelbësore për zbutjen e varfërisë së fëmijëve, fuqizimin e familjes dhe mbrojtjen e fëmijëve, me fokus të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm.

Stagnimi i politikave për shëndetin e fëmijëve

Politikat në fushën e shëndetit të fëmijëve po ashtu kanë stagnuar. Ende nuk janë miratuar disa projektligje të rëndësishme, përfshirë: Projektligjin për Shëndetësi, Projektligjin për Shëndetin Mendor, Projektligjin për ndalimin e pijeve energjike për personat nën moshën 18 vjeç, etj. Zvarritja e këtyre proceseve ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e fëmijëve, duke penguar qasjen e tyre në shërbime shëndetësore cilësore dhe në kujdesin e duhur shëndetësor.

Mungesa e buxhetit për mbrojtje të fëmijëve

Pa një Kuvend të konstituuar, nuk mund të ketë investime domethenëse në mbrojtjen e fëmijëve. Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal mbetet i pa miratuar. Përmes këtij projektligji parashihet që të bëhet zgjidhje e qëndrueshme e financimit të shërbimeve sociale të ofruara për fëmijët dhe familjet e cenueshme, përmes ndarjes së buxhetit të veçantë për shërbime sociale. Aktualisht ofruesit e shebimeve sociale qoftë ata publikë si Qendrat për Punë Sociale, qoftë ata jo-qeveritarë, janë në gjendje shumë të rëndë për shkak të mungesës së financimit, burimeve njerëzore dhe infrastrukturës adekuate.

Roli mbikëqyrës i Kuvendit dhe ndikimi i mungesës së tij në mbrojtjen e fëmijëve

Përveç funksionit legjislativ, Kuvendi ka edhe mandat mbikëqyrës, përfshirë monitorimin e zbatimit të ligjeve të miratuara. Mungesa e një Kuvendi të konstituuar ndikon drejtpërdrejt në uljen e nivelit të llogaridhënies dhe mbikëqyrjes në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Kjo krijon vakum institucional dhe rrezikon përkeqësimin e situatës së fëmijëve, veçanërisht atyre në rrethana të cenueshme.

Situata e fëmijëve në Kosovë mbetet e vështirë. Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë forma të dhunshme të disiplinimit brenda mjediseve familjare. 5 % e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda.

Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara marrin shërbime cilësore shëndetësore dhe sociale.

Vetëm 15% e fëmijëve në Kosovë të moshës 3 – 4 vjeç ndjekin programet e zhvillimit ne fëmijërinë e hershme.

Vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve të substancave narkotike ka kaluar shifrën prej 30,000, ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët përdorues vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër.

Jashtëzakonisht shqetësues mbetet fakti që mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave është në rënie, ku nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit. Kalueshmëria në testin e arritshmërisë për vitin 2023 ishte vetëm 52.1%, ndërkaq, “PISA” e ka renditur Kosovën në vendin e 76-të nga 80 vende pjesëmarrëse. Gjatë vitit 2023, numri i fëmijëve në konflikt me ligjin që është raportuar nga Policia e Kosovës, ka qenë 2175 fëmijë.

KOMF kërkon që deputetët të reflektojnë mbi peshën e përgjegjësisë së tyre. KOMF konsideron që deputetët duhet të marrin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe ligjore për të vepruar urgjentisht për garantimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Çdo vendim që dështojnë apo vonojnë ta marrin për fëmijët, është një barrë që fëmijët e paguajnë me shëndetin, mirëqenien dhe shpesh jetën e tyre”, thuhet në komunikatën e KOMF-it./EO/