Komisioni Evropian miraton strategjinë e vaksinimit kundër COVID-19

0

Komisioni Evropian ka miratuar të enjten strategjinë për vaksinimin masiv në BE kundër COVID-19, në pritje të konfirmimit të vaksinave të para që do të marrin lejen e përdorimit nga autoritetet përkatëse.

Me këtë strategji, Komisioni Evropian, dëshiron që të gjitha vendet anëtare të kenë koordinim në procesin e vaksinimit, që ai të jetë në të njëjtën kohë, të përfshij grupet që do të kenë prioritet dhe të gjitha të kenë sasi të njëjta të vaksinave sipas numrit të banorëve.

Komisioni Evropian kërkon nga shtetet anëtare që të përgatisin stafin e duhur profesional, mjetet e transportit për vaksinat me paisje dhe kushte specifike dhe të ketë një fushatë të informimit të qytetarëve për dobitë dhe rreziqet eventuale të vaksinës, në mënyrë që të rritet besimi i qytetarëve.

Sipas këtij plani, prioritet në vaksinim në fillim do të duhet të kenë punëtorët në sistemin e shëndetësisë, pastaj personat mbi moshën 60 vjeçare, ata që vuajnë nga sëmundjet e rënda dhe personat të cilët në jetën dhe punën e tyre nuk mund të sigurojnë mbajtjen e distancës fizike.

Komisionerja e BE-së për Shëndetësi, Stella Kyriakides, ka thënë se vaksina nuk do të sjell me automatizëm zgjidhjen e tërësishme të problemit, por gjithsesi, do të ndihmoj në kthimin e jetës normale për qytetarët. Ajo ka thënë se asnjë kompromis nuk do të bëhet me shëndetin e qytetarëve dhe, pa marrë parasysh se duan sa më parë të sigurojnë një vaksinë, kjo nuk do të bëhet pa u siguruar se ato janë efikase dhe të sigurta.

Komisioni Evropian pret që edhe vendet e rajonit të Ballkanit të ndjekin strategjinë e ngjajshme dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, siç kanë bërë që nga fillimi i pandemisë.

Komisioni Evropian tashmë ka nënshkruar kontrata për qindra miliona doza vaksinash me disa prodhues potencial të vaksinës në mënyrë që të siguroj sasi të duhura për të gjitha shtetet anëtare. Më pas, shtetet anëtare, do të mund të porosisin sasi të vaksinave edhe për shtetet e treta, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *