Konjufca në Pastasellë: Serbia nuk është shkëputur nga pushteti serb i Millosheviqit

0

                       Ushtruesi i detyrës të Presidentit, Glauk Konjufca ka deklaruar sot se Serbia e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq nuk është shkëputur nga drejtimi i saj kundër popullit shqiptar. Ai tha se këtë po e dëshmon edhe provokimi i Vuçiqit me publikimin e një fotografie të Kosovës me flamurin e Serbisë mbi të. Konjufca në një prononcim për media pas homazheve në Pastasellë të Rahovecit, tha se masakrat e kryera nga pushtuesi serb dëshmojnë më së miri sesa i përbindshëm ka qenë pushteti serb i Millosheviqit. Ai tha se është për t’u pikëlluar sesi drejtësia ende nuk është vënë në vend, teksa bëri thirrje që kjo të ndodhë. “Në këtë masakër shteti i Serbisë dhe forcat e saj nuk i kanë kursyer as fëmijët. Kanë vrarë edhe fëmijë. Kjo tregon se sa i përbindshëm ka qenë pushteti serb i Millosheviqit por, kjo tregon po ashtu që edhe Serbia e sodit e udhëhequr nga Aleksandr Vuçiq nuk është shkëputur prej asaj politike. Tjetër është që ata nuk i kanë forcat policore këtu në Kosovë por, me deklaratat e tyre, me qëndrimet e tyre, me flamurin e Serbisë që po e vizatojnë mbi tërë Kosovën po tregojnë që donë me vazhdu të njëjtin drejtim që e ka pasur Serbia gjithmonë dhe që është kundër popullit shqiptar dhe që ka çuar në masakrat që i kanë kryer këtu në Rahovec, në shumë fshatra, përfshirë edhe fshatin Pastasellë”, tha ai, raporton KP. I mbijetuari i masakrës së Pastasellës së Rahovecit, Tahir Krasniqi ka rrëfyer përjetimet e asaj dite. “Në 16 ora pasdite na kanë mbledhur aty. Aty kanë qenë 4-5 tanke afër nesh. Disa traktorë që kanë qenë aty, përnjëherë i kanë shtyp edhe ata traktorë. Ndërsa neve kanë filluara të na thonë: ‘hiqni kapuçat dhe kokën në dhe me e fut’. Na kanë rrah, na kanë thënë: ‘nxirrni gjërat nga xhepi’. Një prej tyre ka thënë: ‘ta masakrojmë një për së gjalli sepse këta nuk paskan pa masakër për së gjalli’. Atë nuk mundem me e përmend”, kujtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *