Konjufca për mbajtjen e krerëve të UÇK-së në Hagë: Është e padrejtë

                                Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka quajtur të padrejtë mbajtjen në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së, çka sipas tij procesi është zgjatur. Sipas Konjufcës, gjatë fazës paraprake të akuzuarit kanë mundur të qëndrojnë në liri.Derisa ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës së Rexhep Selimit, Konjufca ka theksuar se nuk është në rregull që ish-krerët po mbahen në izolim.  “Po quhet një proces gjyqësor por gjykimi nuk ka filluar ende, u zgjat shumë me të vërtet, unë e kam shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë time pse kjo po ndodh, kanë kaluar më shumë se 2 vite dhe nuk po fillon gjykimi, është e pashpjegueshme dhe e padrejtë, të njëjtën kohë sepse unë mendoj që po shkelen të drejtat e njeriut, të tyre. Ata faktikisht deri tash do të mund të mbroheshin në liri dhe kur të fillonte gjykimi gjykata mund ta rivlerësonte edhe një herë dhe të rishqyrtonte çështjen e mbajtjes së tyre, po me vet faktin që kjo nuk po ndodh dhe kemi izolim të tyre që dy vite pa filluar gjykimi kjo tregon që diçka nuk është në rregull”, ka thënë Konjufca.Ai ka thënë se ky proces duhet të përfundojë sa më shpejt dhe të vërtetohet lufta e pastër çlirimtare.  “Urojmë që ky proces sa më shpejt të përfundojë e të del në shesh ajo që faktikisht në shesh ka qenë gjatë gjithë kohës që është e vërteta për luftën tonë të drejtë. Që lufta jonë ka qenë popullore, mbrojtëse, çlirimtare dhe ka qenë e drejtë dhe e pastër, agresori dihet kush ka qenë, ka qenë Serbia e cila ka shkruar gjenocid mbi popullin tonë”, ka thënë ai.Ekspozita “Në garë me botën gri” përmban mbi 100 piktura të Selimit, të cilat janë sjellë nga Haga dhe janë paraqitur në Muzeun Kombëtar të Kosovës.Bashkëshortja e tij, Shqipe Selimi, ka thënë se gjatë vizitave të saj në Hagë i ka bartë pikturat./ KP