Konjufca tregon qëndrimin e Vetëvendosjes për UÇK-në

                                          Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca ka dhënë qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).Kryeparlamentari Konjufca ka thënë se UÇK-ja ka qenë organizimi më i rëndësishëm dhe ka buruar nga gjiri i popullit e që qëllim ka pas çlirimin nga ushtria okupatore serbe. Ai tha se mbi këtë bazë kanë votuar edhe kundër Gjykatës Speciale.“Për aq sa mund të më konsideroni edhe njëfarë zyrtari të Vetëvendosjes, mundem me ta dhënë qëndrimin e VV-së për UÇK-në. Për Lëvizjen Vetëvendosje, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizimi më i rëndësishëm i cili ka qenë drejtpërdrejt i mishnuar në vullnetin e popullit dhe si strukturë drejtpërdrejt ka buruar nga gjiri i popullit dhe ka mishnuar qëllimin historik e ma fisnik dhe më të shenjtë të kombit shqiptarë që ka qenë për çlirimin e Kosovës. Kjo është ushtria jonë që është përbërë nga djemtë dhe vajzat më të mira për me e shpurr Serbinë ushtrinë okupatore të Serbisë pushtuese prej trojeve tona. Ky është qëndrimi i VV dhe mbi këtë bazë kemi vepruar politikisht gjithmonë dhe mbi këtë bazë e kemi çuar dorën kundër Gjykatës Speciale”, tha Konjufca në një intervistë për Atv, shkruan Reporteri.net .

Konjufca ka folur edhe për Gjykatën Speciale duke thënë se kjo gjykatë s’është e Kosovës.

Duke kujtuar shprehjen “Në emër të popullit”, me të cilën u shpall dënimi për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, Konjufca ka thënë se nuk e kupton se në çfarë mënyre është e lidhur Specialja me vullnetin e popullit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.“Nuk mund ta kuptoj qysh është e Kosovës ajo Gjykatë. Ajo nuk është hiç e Kosovës. Qysh është e Kosovës? Në çfarë mënyre është e lidhur me vullnetin e popullit se ata kur po shqiptojnë dënime po thojnë “në emër të popullit të Kosovës””, ka thënë Konjufca.Ndryshe, Konjufca javën që shkoi ka qëndruar në Hagë, ku është takuar me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli në Hagë/Reporteri.net.