Kontratat kolektive “gjunjëzojnë” komunat
Dhjetëra miliona euro llogaritet të jetë dëmi financiar i shkaktuar nga mospërmbushja e kontratave kolektive kundrejt punonjësve të arsimit në Kosovë.Nga viti 2014 janë nënshkruar tri kontrata të tilla ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Arsimit, por ato nuk janë zbatuar kurrë plotësisht.
Për pasojë, shumë punonjës të arsimit, që do të duhej të përfitonin prej tyre, kanë ngritur padi në gjykata, shumë prej të cilave janë përmbyllur në favor të tyre.
Zyrtarët e komunave ankohen se kompensimi i punonjësve u ka shkaktuar atyre telashe të mëdha financiare.
Çka është kontrata kolektive?
https://central.gjirafa.com/renderer.html?v=1.1 Kontrata kolektive parasheh disa përfitime financiare për punonjësit e arsimit – nga pagesa për shujtat ushqimore apo për shpenzimet e udhëtimit deri te paga shtesë pas pensionimit.
Me ligj, këto përfitime duhet të paguhen nga komunat, të cilat janë punëdhënës të punëtorëve të arsimit. Por, qeveritë e deritashme qendrore nuk u kanë dhënë atyre buxhet shtesë për këtë qëllim.
Kështu, punonjësit që nuk kanë përfituar, u janë drejtuar gjykatave, dhe kur rasti është përmbyllur në favor të tyre, ata kanë arritur ta nxjerrin kompensimin nga buxheti i komunës.
https://central.gjirafa.com/renderer.html?v=1.1 Istref Atashi, nga fshati Leshan i Pejës, është pensionuar në nëntor të vitit 2015, pas 44 vjetësh përvojë pune në Shkollën Fillore “Zef Serembe”.
Asokohe ka qenë në fuqi kontrata e parë kolektive me mësimdhënësit, por as Atashi, as kolegë të tij të pensionuar nuk kanë marrë pagat shtesë që u kanë takuar për çdo dekadë që kanë kaluar në punë.
“Kemi bërë kërkesë në Drejtori të Arsimit – diku 69 kemi qenë që jemi pensionuar brenda vitit. [Na kanë thënë] ju takojnë, por buxhet nuk kemi”, tregon Atashi për Radion Evropa e Lirë.
Përmes një avokati të siguruar nga Sindikata e Arsimit, këta mësimdhënës kanë ngritur padi kundër komunës në gjykatë.
Komuna është ankuar dy herë kundër kësaj procedure, por vendimi final është marrë në favor të Atashit dhe të tjerëve në fund të vitit 2022. Atashi tash pret ta marrë kompensimin nga komuna, që kap vlerën e rreth 3 mijë eurove.
“E ndiejmë veten keq, është procedurë shumë e ngarkuar”, thotë ai, duke treguar se disa kolegë të tij kanë vdekur pa i marrë paratë që u takonin.
Komuna e Pejës me katër milionë euro borxhe
Zyrtarë të Komunës së Pejës thonë se kontratat kolektive kanë shkaktuar probleme shumë të mëdha financiare për këtë komunë.
Fisnik Imami, zyrtar ligjor në Komunën e Pejës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion ka rreth 4 milionë euro borxhe, si pasojë e padive të mësimdhënësve.
Komuna, sipas tij, aktualisht përballet me rreth 1.200 padi për kompensimin e shujtave ushqimore – në vlerë prej dy eurosh në ditë – për mësimdhënësit.
Peja, sipas statistikave zyrtare, ka rreth 1.300 mësimdhënës.
Imami thotë se paditë, tash për tash, kanë të bëjnë me dy kontratat e para kolektive, ndërsa për të tretën pritet të vijnë në vazhdim.
“Kontrata kolektive e ka lënë komunën në gjunjë. Krejt çka ka në kontratë, po u aprovohet [në gjykatë], sepse iu takon. Mirë apo keq, iu takon”, thotë Imami.
Kontrata e fundit kolektive, e nënshkruar në vitin 2021, është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Arsimit në nëntor të vitit të kaluar, me arsyetimin se nuk është menaxhuar siç duhet.
“Kjo kontratë ka pasur probleme serioze ligjore dhe si e tillë është e pavlefshme. Për këtë kontratë nuk ka pasur asnjë vlerësim ligjor, financiar dhe planifikim buxhetor para nënshkrimit”, thanë nga Ministria e Arsimit përmes një deklarate dërguar Radios Evropa e Lirë.
Sipas Ministrisë, efekti i kontratës do të ndalojë nga dita e shkëputjes dhe nuk do të ketë mundësi për kompensim retroaktiv.
Ministria, po ashtu, tha se do të nënshkruajë kontratë të re kolektive pas negociatave me Sindikatën e Arsimit.
“Çdo kontratë që do të nënshkruajë Ministria në të ardhmen, do të bazohet në ligjet në fuqi, për t’i mënjanuar situatat e tilla që kanë ndodhur në të kaluarën”, tha ministria në deklaratën me shkrim.
“Kontrata kolektive ende në fuqi”
Por, Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Arsimit, thotë se shkëputja e njëanshme e kontratës kolektive nga Qeveria, është joligjore. Për këtë sindikatë, ajo vazhdon të jetë në fuqi.
“Të gjitha kërkesat dhe të drejtat që janë aty [në kontratë kolektive], ose do t’i arrijmë përmes diskutimeve me nivelin komunal, sepse ai është punëdhënës, ose mësimdhënësit do të vazhdojnë t’i dërgojnë rastet në gjykata, të cilat, deri më tani, i kemi fituar të gjitha”, thotë Jashari për Radion Evropa e Lirë.
Me kompensimin e mësimdhënësve janë përballur të gjitha komunat e Kosovës, përveç dhjetë komunave me shumicë serbe, të cilat nuk janë pjesë e Sindikatës së Arsimit të Kosovës, pasi ato punojnë me plan-programe të Serbisë.
Ajo e Gjakovës, për shembull, ka shpenzuar mbi 2.5 milionë euro në katër vjetët e fundit, për të paguar kompensimet që mësimdhënësit i kanë fituar me padi.
“Kjo situatë e rrezikon buxhetin, sepse prishen planifikimet buxhetore në të gjitha kategoritë ekonomike, si: mallrat, pagat, investimet kapitale, dhe nuk mund të realizohen projekte të ndryshme të investimeve në Komunën e Gjakovës”, thonë nga kjo komunë për Radion Evropa e Lirë.
Kostoja e saktë e padive të ngritura në komuna, nuk është e qartë, meqë ato janë në faza të ndryshme.
Në një deklaratë dhënë REL-it në gusht të vitit të kaluar, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se kjo kosto mund të sillet në rreth 35 milionë euro.
Në koordinim me këtë asociacion, komunat kanë ngritur padi ndaj Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar kthimin e mjeteve të shpenzuara gjatë kompensimit të mësimdhënësve, por këto padi, deri më tani, nuk janë trajtuar në gjykata.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 3.2 miliardë eurosh. Prej tyre, rreth 660 milionë i dedikohen qeverisjes lokale dhe komunave. /REL/