Kosova dhe Shqipëria nderojnë Sulejman Krasniqin: Ishte nder i kombit

0

                                 Në oborrin e “Shtëpisë me Gjethe” në Tiranë, është kujtuar shkrimtari nga Kosova, Sulejman Krasniqi. Në dhjetë-vjetorin e vdekjes së tij, për Krasniqin u tha se ishte nder i kombit, mjeshtër i madh i letërsisë dhe veprimtar e mbrojtës i vlerave historike.Në dekadën e parë të vdekjes së tij, muzeu kombëtar i përgjimeve “Shtëpia me gjethe” dhe Agjencia e Lajmeve-KosovaPress kanë organizuar akademi përkujtimore për nder të veprës së shkrimtarit nga Rahoveci.Drejtoresha e Agjencisë së Lajmeve-KosovaPress, Suzana Hashani ka thënë se Sulejman Krasniqi ishte përfaqësues dhe mbrojtës i vlerave historike shqiptare.“Krasniqi ishte një atdhetar i flaktë që e donte njësoj çdo pëllëmbë të tokave shqiptare, gjë të cilën ai e dëshmoi duke e reflektuar edhe në veprat e tij. Si simbol i rezistencës dhe i frymëzimit të brezave me dashurinë ndaj vendlindjes, organizimi i këtij aktiviteti të Agjencisë së lajmeve KosovaPress në bashkëpunim me muzeun kombëtar ‘Shtëpia me gjethe’ në Tiranë, na e dyfishon emocionin pasi Sulejman Krasniqi siç kishte në zemër Kosovën prej së cilës e larguan, ashtu kishte në zemër edhe Shqipërinë”, u shpreh ajo.

Drejtuesja e KosovaPress derisa ka folur për jetën e Krasniqit, ka shtuar se i njëjti pas shumë vuajtjesh e persekutimesh nga regjimi serb është detyruar që të arratiset nga Kosova në vitin 1958 duke iu drejtuar, Shqipërisë.“Dhe siç shprehej ai; ‘Kam ardhur në Shqipëri për të mësuar artin luftarak, për të luftuar dhe për të çliruar Kosovën!’. Sulejman Krasniqi nuk u shkëput asnjëherë nga Kosova ndërsa në një ditar reflektonte ngjarjet tragjike deri te lufta e UÇK-së. Dhe me të drejtë shkrimtari që shkruajti historinë, u bë vetë pjesë e historisë duke ia kushtuar gjithë krijmtarinë e tij letrare Kosovës për të cilën dëshironte që brezat e ardhshëm të jetonin të lirë dhe me dinjitet në vendin e tyre”, ka shtuar Hashani.E, zëdhënësi i Muzeut Kombëtar, Fabio Tosko tha se humbja e tij është e madhe edhe për letërsinë shqipe. Sipas tij, pena e Krasniqit është kthyer në instrument për brezat e ardhshëm.“Shumica e njerëzve mund të kenë dëgjuar emrin e Sulejman Krasniqit, apo shumica prej tyre mund të kenë parë emrin tek qëndron në kopertinat e librave historik dhe biografive, por jo të gjithë i njohin dramat e jetës së tij, dramë të cilën ai e mbajti mbi shpinë për vite me radhë. Sulejman Krasniqi provoi përndjekjen e rreptë në dy vende. Fillimisht në Kosovën e vendlindjes, r më pas në arratisjen drejt Shqipërisë në kampet famëkeqe të hetuesisë. Por sigurisht ai nuk rreshti asnjëherë së dashuri Shqipërinë, dashuri e cila padyshim iu kthye ne forcë. Edhe një qëndrestar i tij i pa kërrusur meriton një vend nderi që idealet nuk i tradhtoi kurrë”, tha ai. Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se krijimtaria e tij letrare ishte atdhetare dhe heroike. Edhe heronjtë e përshkruar në veprat e Krasniqit, sipas Latifit shërbyen për të ngritur ndjenjën atdhetare.“Malli për vendlindjen e tij, e brente si ndryshk hekuri, por shpresa se do të kthehet në Kosovën e lirë, nuk iu shua asnjëherë. Dhe ai pati të drejtë që nuk u ligështua pas luftës heroike të popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës nën emblemën e UÇK-së dhe me ndihmën e popujve të civilizuar Kosova u çlirua. Sulejman Krasniqi u kthye triumfalisht në vendlindje. Njerëzit ishin plakur, dikush kishte vdekur, ai u kthye ne vendlindje ndonëse shumëçka kishte ndryshuar. Kosova e mahniti Sulejmanin e mplakur, i cili mund të kishte menduar që ishte harruar. Ai ishte më i pranishëm nga se kishte menduar. Nxënësit, studentët, mësues e intelektualë të Kosovës kishin lexuar tinëz veprat e tij, dhe ishin frymëzuara”, u shpreh ai.Duke falënderuar organizatorët e kësaj akademie, vajza e Sulejmanit, Albana Krasniqi-Malaj ka thënë se si familje po mundohen të mbajnë gjallë emrin e babait të saj.“Ju falënderojmë ne të tre shumë, për pjesëmarrjen tuaj dhe për respektin që tregoni për babin. Falënderojmë edhe mamin, ajo ka qenë strumbullari i shtëpisë. Kryetari përmendin shoqin tim, Naimin por ne kemi edhe dy nuse të mrekullueshme të cilat bëjnë çdo gjë me fëmijët e tyre për ta mbajtur gjallë emrin e babit tanë”, ka thënë ajo.Shkrimtarë nga të gjitha trevat shqipe, për më shumë se një orë në këtë akademi të organizuar nga muzeu kombëtar i përgjimeve në Tiranë dhe KosovaPress kanë kujtuar Sulejman Krasniqin dhe veprat e tij.Sulejman Krasniqi, është i njohur ndryshe si Balzaku i letrave shqipe. Ai u burgos nga regjimi serb për veprimtarinë e tij patriotike, ndërsa në vitin 1958 u arratis drejt Shqipërisë, ku kreu studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës. Krasniqi vdiq me 16 korrik të vitit 2011. /kp/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *