Kosova dhe shqiptarët nuk do të ligështohen në këtë furtunë. Shkruan/Haki LATIFI-diasporë
Kosova duhet të punojë fortë për të bindur botën se problemi i saj ishte dhe është Serbia dhe përpjekja e gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe jo shqiptarët që, bashkë me rezistencën politike dhjetëvjeçare dhe bashkë me NATO-n, luftuan dhe e shpëtuan Kosovën nga shfarosja. Çështje e hapur ende mbetët procedura e dëmshpërblimeve që Kosova duhet të kërkojë nga Serbia për dëmet dhe humbjet e mëdha që i ka shkaktuar vendit në kohën e luftës së fundit.
Sa i përket Gjykatës Speciale, në të cilën si proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta, është një mundësi që më në fund të përgjigjen të gjithë të akuzuarit ndaj këtyre dyshimeve dhe thashethemeve të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra. Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që tu jepej fund njëherë e mirë. Kjo është edhe arsyeja që parlamenti i Kosovës e ka votuar themelimin e këtij tribunali. Ne duhet të kemi parasysh se ky tribunal u krijua nga Kuvendi i Kosovës, për të shërbyer në emër të popullit. Por, shtrohet pyetja: Çfarë ka bërë Diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë me komunitetin ndërkombëtar që Serbia të ballafaqohet për gjenocidin që ka kryer? Veç me fakte, jo me fjalë! Unë them se ishte një dështim i plotë gjer më tani.
Të mos harrojmë se, gjenocidi serb ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës është shekullor, i pandërprerë, i organizuar, orkestruar dhe i drejtuar, nga strukturat më të larta shtetërore serbe dhe jugosllave.
“Gjenocidi është mohim, i të drejtës për ekzistencë njerëzore, sikurse vrasjet që janë mohim i të drejtës për jetë të qenieve njerëzore individuale”. Dihet shumë mirë, çfarë ndodhë, në një vend me ata njerëz, që harrojnë të kaluarën.
Kush do që përhap panik se gjykata speciale po e trondit të ardhmen e shtetësisë së Kosovës, janë që në fillim të dështuar. Çdokush i përgjegjshëm e din se shtetësia dhe pavarësia e Kosovës nuk mundet të tronditet nga askush. Republika e Kosovës ka institucionet që do të dinë t’ia dalin mbarë dhe të bëjnë të duhurën në këtë gjendje, e që ka vite e muaj është pritur!
Ne kurrë nuk duhet të harrojmë se në Kosovë ka ndodh luftë dhe jo sfilata modesh. Ashtu siç nuk duhet të harrojmë se ajo luftë dëboi Serbinë prej Kosove e për këtë dëbim natyrisht nuk pajtohet Serbia, por do të vazhdoj edhe në të ardhmën të thur intriga gjithmonë.
Kur liderët e përveçëm thirren për të bashkëpunuar me një tribunal ndërkombëtar, ata duhet të veprojnë̈ pa hezitim. Edhe nëse ka akuza të bëra kundër tyre, atyre ju duhet dhënë përgjigja në mënyrën e duhur, me faktet e së vërtetës.
Qytetarët e Kosovës duhet të kenë besim të plotë në objektivitetin dhe paanshmërinë e gjykatësve, duke kërkuar nga të gjithë̈ në Kosovë që të tregojnë gjithmonë̈ respektin e duhur për autoritetet e drejtësisë.
Të akuzuarit kanë qenë pjesë e UÇK, drejtues e ushtarë të saj, por jo pronarë të UÇK-së. Të gjithë duhet ta dinë se UÇK është krijimi më madhështor e më i ndritshëm i shqiptarëve. Të akuzuarit nuk janë liria as pronarët e lirisë dhe nuk po kërcënohet liria e Kosovës që ta mbrojnë ata në gjykatën speciale, ata do të mbrojnë veten e drejtësinë e tyre. Se a janë fajtor apo nuk janë, tani vendos drejtësia. Duhet të jemi të bindur se pasi gjykatësi do të dëgjojnë të gjitha faktet, kanë për të konkluduar përtej cdo dyshimi të arsyeshëm, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje e popullit, një kryengritje për vetëmbrojtje me burra dhe gra trima, të cilët bën maksimumin e tyre në rrethana të jashtëzakonshme.
Ndërsa ti Populli im, gjithmonë je dhe do të jesh i pafajshëm, sepse ti gjithmonë paguan e stërpaguan maskarenjtë. Vetëm se, mos rresht asnjë çast së besuari te Drejtësia e Tokës dhe e Qiellit, që do të bjerë mbi zhvatësit, mbi tradhtarët, mbi të pabesët që kanë shpërdoruar si ca prostituta gojë shthurura, Besimin Tënd të Shenjtë!
Sepse Drejtësi ka! Dhe ajo herë bie si kambanë e Vdekjes dhe herë si lëngatë pa shërim, e herë herë, e ndoshta gjithmonë e më shpesh, si një aksident pa kuptim, si një Rrufe në Qiell të hapur! T’i populli im nuk je fajtor që politika e bëri punën e saj të mbrapshtë. Si duket, djalli ka hyrë mes nesh dhe po e heq vallën gjithandej në vise ku jetojnë shqiptarët: këndej e andej Drinit.
Ne duhet të besojmë fuqishëm në drejtësi dhe në faktin se një individ duhet të cilësohet si i pafajshëm derisa të shpallet fajtor.
Liria e Kosovës dhe çlirimi i saj, është vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo u falet heronjve dhe martirëve të Kosovës dhe jetëshkrimeve të personaliteteve të mëdha të Kosovës e të Perëndimit, duke arritur të shpallin edhe shtetin e pavarur e sovran të njohur ndërkombëtarisht. Por ç’e do, që prapësia filloi menjëherë pas luftës çlirimtare duke degraduar keq e më keq. E, ndërkaq rreziku i ideologjive të dyshimta po na trokasin në derë, sidomos në institucione fetare, ngjashëm sikurse bënte shteti i ish-Jugosllavisë me shpikjen e disa kombësive hibride tek ne në Kosovë. Kjo gjykatë edhe pse e ka selinë̈ në Hagë, ajo është pjesë e sistemit tonë ligjor. Nuk duhet të ketë asnjë hatërmbetje drejtuar ndaj ndërkombëtarëve që punojnë̈ në këtë tribunal. Ata janë duke bërë punën që populli i Kosovës ka kërkuar që ta bëjnë. Ky tribunal është pjesë e rrugëtimit të shtetëndërtimit të Kosovës, dhe ne duhet ti shkojmë̈ deri në fund.
Ne na duhen udhëheqës të spikatur, të dëshmuar në vepra e, që e duan pa hile këtë nënqiellin tonë, shtetin e fortë që e krijuam sipas projekteve të mendjeve të ndritura të rilindësve tanë dhe të kokave të mëdha idealiste përgjatë historisë sonë që luftuan me penë e me pushkë në dorë.
Institucionet tona, të vënë rend e rregull në punën që bëjnë e të kontribuojnë për shtetin, shoqërinë tonë për të kaluar sa më shpejt nga ky tranzicion i tejzgjatur e për të vënë në binarët e vërtetë ecjen tonë të shpejtë drejt zhvillimit e përparimit.
Këtyre proceseve, duhet medoemos t’u prijë ajka e intelektualëve të vërtetë shqiptar që e kanë dëshmuar veten si në Universitet, Akademi e institucioneve tjera shkencore e intelektuale, ashtu siç ishte gjatë viteve 90-ta.
Le të hapërojmë përpara me besimin në fitore, duke lënë anash ndasitë partiake e klanore se koha nuk pret për ne shqiptarët me këto ngecjet e gjertanishme.
Kjo periudhë do të jetë një sfidë e madhe që duhet ta tejkalojmë me maturi, mençuri e frymë demokratike për t’i bindur edhe të tjerët se ne jemi një shoqeri e shtet që meritojmë integrimin në familjen europiane. Ne duhet ti qartësojmë të gjitha faktet, në mëyrë që historia ta njeh të vërtetën.
Gjeneratave që do vijnë pas nesh, ju mbetet detyrë dhe përgjegjësi që ta ruajnë dhe ta duam shtetin e Kosovës. Ta mbrojmë këtë pasuri dhe ta bëjmë Kosovën vend me dinjitet për qytetarët tanë, për të rinjtë, për punëtorët, arsimtarët, policët, minatorët, mjekët, dhe për secilin që e ndjenë vetën pjesëtarë të shtetit të Kosovës. Për secilin që ëndërron jetën dhe të ardhmen e tij në Kosovën tonë të dashur, në atdheun e të parëve tanë. Edhe nëse ka pasur gabime, personat e përfshirë duhet të japin llogari për veprimet e tyre. Ky është kuptimi i sundimit të ligjit për një shtet të ri si i yni.
07 nëntor 2020