KOSOVA DO TA SIGUROJË VAKSINËN ANTI-COVID PËRMES BANKËS BOTËRORE
Kur bota ta ketë vaksinën kundër Coronavirusit, atë do ta ketë edhe Kosova. Kjo do të mundësohet përmes Bankës Botërore. Kështu të paktën ka thënë ministrja kosovare e Financave, Hykmete Bajrami.
Ende nuk është zbuluar vaksina që pranohet globalisht se është vaksinë kundër COVID-19, përveç se ka pasur disa shtetet e institucione që kanë thënë se janë afruar.
Megjithatë, kurdo që të ndodhë që të ketë një vaksinë të pranuar nga institucionet e shëndetësisë botërore atë do ta ketë edhe Kosova.
Sipas ministres së Financave, Hykmete Bajrami, Kosova vaksinën e siguron përmes Bankës Botërore, njofton Insajderi.
Kështu ka pohuar ajo derisa ka folur në një konferencë të përbashkët me kryeministrin, Avdullah Hoti, derisa ka shtuar se “vaksinë do të jetë e certifikuar nga institucione ndërkombëtare shëndetësore”.
“Kjo është një pako që Banka Botërore do të blej për një numër të madh të shteteve. Nuk do të bëhet prokurim në mënyrë specifike për Kosovën por do të jetë për një numër tepër të madh të shteteve. Në takimin e fundit kanë qenë më tepër se 50 vende që kanë shprehur interesimin që këtë furnizim të bëjnë përmes Bankës Botërore”, deklaroi Bajrami.