Kosova e rrezikuar nga varianti “Delta”, Vitia thirrje qytetarëve: Vaksinohuni sa më shpejt
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur për mundësinë e përhapjes së variantit Delta në Kosovë. Vitia ka thënë se varianti Delta tashmë është përhapur në shumë vende të Evropës dhe nuk përjashtohet edhe Kosova, shkruan Reporteri.net. Ai ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen, ngase siç është shprehur Vitia, jemi ende shumë larg përfundimit të pandemisë.“Përhapja e shpejtë e variantit delta është kërcënim serioz. Duke qenë kështu ne duhet të veprojmë dhe të përdorim ato mundësi që i kemi në dispozicion për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit. Jemi kujdesur që gjatë kësaj periudhe të qetë epidemike të marrim masa që një valë e re të na gjejë të përgatitur. Arma jonë e vetme kundër Covid-19, tani është vetëm vaksinimi duke mbajtur edhe masat tjera që janë në fuqi. Jemi ende shumë larg përfundimit të pandemisë dhe këtë duhet kuptuar të gjithë, Duhet të tregohemi të arsyeshëm për parandalimin e përhapjes së virusi”, u shpreh Vitia në konferencë për media.