Kosova është në listën e vendeve që janë prekur nga varianti “Delta” i COVID-19.

0

Kosova është në listën e vendeve që janë prekur nga varianti “Delta” i COVID-19. Paralajmërimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, se hezitimi për t’u vaksinuar e dërgon vendin drejt një vale të re të pandemisë po mbështetet nga njohësit e fushës.Rreth 19% e qytetarëve janë imunizuar me dozën e parë të vaksinës anti-COVID, por kjo përqindje nuk vlerësohet e mjaftueshme për t’i bërë ballë variantit “Delta”.Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj thotë se edhe Kosova mund të preket nga një valë e re infektimit me COVID-19.Sipas tij, derisa situata pandemike në korrik vazhdon të jetë e qetë, nuk është garanci se kjo do të vazhdojë muajve në vijim. Pandaj, Vishaj thekson se mënyra më e mirë për të parandaluar rritjen e personave të prekur nga virusi është vaksinimi.“Edhe Kosova, sikurse tërë rruzulli tokësor, është e afektuar nga mundësitë e paraqitjes së valëve të reja me infeksion me COVID. Por mjeti më i suksesshëm dhe më i saktë dhe i domosdoshëm është vaksinimi i popullatës. Andaj vaksinimi i popullatës nga moshat 18 vjeçare është i domosdoshëm në mënyrë që valët e tjera që vijnë, apo mutacioneve që pëson virusi, ne popullatën ta kemi të mbrojtur. Ndonëse fillimi i korrikut është duke shkuar në mënyrë të qetë kjo nuk guxon assesi të na jep komoditetin dhe të mendojmë që është larguar rreziku, ne duhet të përgatitemi sikurse vala po vjen tash menjëherë e përgatitja jonë është përdorimi i vaksinës, pra të vaksinohet popullata sa më shpejtë që është e mundur”, tha Vishaj.

Infektologu Vishaj tha se varianti “Delta” përhapet shumë më shpejtë dhe shumë më lehtë.“Ndryshimet gjenetike të viruseve është e ditur që ndodhin dhe duke u bërë këto mutacione rritet ndonjë aftësi e virusit, qoftë në drejtim të përhapjes apo edhe mospërhapjes, ky virus si duket e ka këtë aftësinë e përhapjes por si do që të jetë nuk duhet të jemi në mëshirën e mutacioneve që ndodhin tek virusi por duhet të vaksinohemi si i vetmi mjet i fuqishëm që neve na siguron një vjeshtë më të mbarë”, tha Vishaj.

Internisti Driton Vela thotë se një valë e re e pandemisë në Kosovë në fund të gushtit apo në fillim të shtatorit mund të parandalohet vetëm më një vaksinim më masiv se çështë duke ndodhur tani.

Ai thotë se aktualisht në Kosovë janë vaksinuar me një dozë vetëm 19% e popullatës së rritur, e kjo shifër sipas tij, nuk është e mjaftueshme për t’u mbrojtur nga varianti “Delta”.“Janë diku rreth 19% e popullatës së rritur që është vaksinuar me një dozë që është solide por e pamjaftueshme për t’u mbrojtur nga varianti ‘“Delta”’, prandaj njerëzit duhet të vaksinohen, të shfrytëzojnë rastin sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që ta krijojmë të ashtuquajturën mur kundër variantit ‘“Delta”’. Nëse thirremi në përvojat e shteteve të tjera mund ta presim fundin e gushtit apo shtatorin si periudhë kur mund të fillojë të dominojë varianti ‘“Delta”’ dhe t’i shohim edhe pasojat”, tha ai.

Vela thotë se vaksinimi masiv është çelësi për t’u mbrojtur nga pasojat që do t’i sjellë infektimi me variantin “Delta”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *