KQZ: Do të veprojmë në përputhje me vendimet e PZAP-it dhe Supremes
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme, lidhur me ankesat e subjekteve politike për mos certifikimin e listës së kandidatëve të tyre.
Kështu ka thënë Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për Ekonomia Online, të dielën pasdite.
Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë paraqitur disa ankesa nga subjektet politike të cilat nuk pajtohen me vendimin e KQZ-së për të mos certifikuar kandidatët e tyre për shkak se në përbërjen e tyre kishte edhe kandidatë të shpallur fajtor me vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke pritur shqyrtimin dhe vendosjen e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sigurisht se do të veprojë në përputhje me vendimet e institucioneve tjera, në këtë rast PZAP-in, por edhe Gjykatën Supreme”, tha Elezi.