Krasniqi: Falë luftës së UÇK-së dhe ndihmës së NATO-s, Serbia kapitulloi në Kosovë më 9 qershor 1999
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në 24 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, ka thënë se falë luftës së UÇK-së dhe ndihmës së NATO-s, Serbia kapitulloi në Kosovë më 9 qershor 1999.Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se ky epilog i luftës për çlirimin e Kosovës, është dëshmi se miqësia me aleatët tanë ndërkombëtarë, posaçërisht SHBA-në, është ndërtuar mbi gjak e histori.“24 vite më parë, me 9 qershor 1999, Millosheviçi dhe Serbia u dorëzuan para luftës çlirimtare të UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s, duke u detyruar që të nënshkruajnë marrëveshjen e Kumanovës – për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Ky epilog i luftës për çlirimin e Kosovës, është dëshmia më e madhe dhe shembulli më konkret, se aleanca dhe miqësia jonë, si popull dhe si shtet, me aleatët tanë ndërkombëtarë, posaçërisht SHBA-në, është ndërtuar mbi gjak e histori”, ka shkruar ai. Kreu i PDK-së ka shprehur mirënjohje për aleatët ndërkombëtarë, duke thënë se së bashku do të angazhohen në përmbushjen e synimeve tjera për Kosovën.