Krasniqi i reagon Kurtit: S’je ti me u brengos as për punëtorin e as për askënd, je shembulli më i keq i opozitarit
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi i ka reaguar Kryeministrit Albin Kurti pas kërkesë së tij për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi siç tha ky i fundit është qytetari ai që e pëson në fund, shkruan Reporteri.net. Kryetari Krasniqi i tha Kurtit se marrëveshjet që opozita i ka votuar as nuk kanë filluar të implementohen. Ai gjithashtu i reagoi atij edhe për abstenimin që VV-ja bëri për Rezolutën për Policinë, ndërsa shtoi se Kurti nuk është ai që brengoset as për punëtorin e askënd tjetër. “Qasja juaj s’ka qenë konstruktive që nga dita që e keni marrë mandatin. Kosova është e përjashtuar prej programeve të ndryshme financiare e ndihmuese të BE-së. Po i ki gati 500 milionë euro që i kemi votuar na si opozitë dhe krejt marrëveshjet ndërkombëtare. As me i implementu s’keni filluar. S’je ti me u brengos as për punëtorin as për askënd. Gojën plot për Policinë s’jeni në gjendje me miratu rezolutë që me ua dhanë shtesat policëve, pensionin e parakohshëm dhe sigurimet shëndetësore”, tha Krasniqi.“Ti je shembulli më i keq i opozitarit që ka pasur Kosova. As marrëveshjen për MSA se ke votuar”, shtoi kreu i PDK-së, duke iu përgjigjur deklaratës së Kurtit i cili tha sa ka qenë ai në opozitë i kanë votuar të gjitha marrëveshjet, përveç atyre të dëmshme për të cilat tha dhe kanë rezoltuar të tilla.
Kreu i Qeverisë, Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare Kosova po humb 360 milionë euro grante e kredi të buta. Ai tha se edhe pse opozita po ua vështirëson punën, Qeveria mund ta vazhdoj mandatin deri në fund edhe pa votimin e këtyre marrëveshjeve, ndërsa kërkoi sërish të votohen pasi siç tha ai është qytetari ai që e pëson në fund./Reporteri.net/