“Krejt dhe Padrejtë”: Gastronomët protestojnë para Qeverisë – kërkojnë heqjen e masave kufizuese

0

Me pankarta në duar me anë të së cilave kërkuan lirimin e masave antiCovid, gastronomet e Kosovës protestuan para objektit të Qeverisë.

Me pankarta “Krejt dhe padrejtë”, “Padrejtësia. Padrejtësi” dhe “Nëpërkëmbje”, një numër i madh i gastronomëve janë mbledhur sot para Qeverisë.

Motoja e protestës ishte “me një vaksinë nuk çel vera”.

Gastronomët kërkuan lirimin e masave dhe heqjen e kufizimit të lëvizjes.

Kryetari i gastronomeve Petrit Kllokoqi ka thënë se nuk kanë dalë për të rrëzuar qeverinë por e kundërta, për t’ia hapur sytë kësaj qeverie.

“Mos i largoni masat vetëm për fushata. Kjo nuk është fer. Masat më nuk kanë sens. Hiqni masat. Nesër kur të vijnë zgjedhjet lokale nuk është fer të largohen masat. Shtetet në rajon kanë bërë plane për verën e ne po punojmë me distanca. Masat më nuk janë zgjidhje. Hiqeni kufizimet dhe kthejeni shyhretin në vendin tonë. Tash e kemi mundësinë”, deklaroi Kllokoqi.

Arian Vranica, sekretar në Shoqatën e Gastronomëve të Kosovës ka thënë se derisa shtetet tjera janë duke bërë gara kush po udhëheq me turizmin, në Kosovë duhet të bëhen protesta për hapje .

“Të gjithë ne sot që jemi këtu kemi bindje të ndryshme politike, por të gjithë kemi interes të përbashkët të mbrojmë interesat e bizneseve tona. Sot bëhen 430 ditë që jemi duke u ballafaquar me këtë pandemi. Këto masa na përcollën me humbje të jashtëzakonshme. Jemi duke e rrezikuar periudhën më të rëndësishme të vitit për gastronominë e ekonominë. Përderisa shtetet tjera janë duke bërë gara kush po udhëheq me turizmin ne po qëndrojmë në vend”.

Vranica ka kërkuar heqjen e masave, lejimin e mbajtjes së dasmave e kërkesa tjera të ngjashme.

Ditë më parë për Telegrafin, Vranica u shpreh se marrëveshja e nënshkruar nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministrja, Rozeta Hajdari, dhe disa shoqata nuk është respektuar, pasi as tash kur është përmirësuar gjendja epidemiologjike nuk janë hequr masa për një pjesë të sektorit të gastronomisë, të cilët janë të mbyllur që nga 13 marsi 2020.

Gastronomët paralajmëruan se mos dëgjueshmëri ndaj institucioneve të shtetit dhe mosrespektim të masave antiCOVID-19, nëse nuk merren parasysh me urgjencë kërkesat e kamotshme të tyre.

Kujtojmë se nesër ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia do t’i diskutojë masat e reja antiCovid, me kryetarët e komunave të vendit, aty pritet të diskutohet edhe plani i vaksinimit dhe gjendja e përgjithshme pandemike në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *