Kriza e ardhshme e Evropës: Uji

Pranvera ka hyrë dhe Evropa është duke u tharë.

Një rezervuar kyç që u shërben miliona katalanasve është duke u pakësuar.

Një konflikt për ujin shkaktoi përleshje në Francë, ku disa fshatra nuk mund të furnizojnë më banorët e tyre me ujë rubineti.

Dhe lumi më i madh i Italisë është tashmë në nivele aq të ulëta sa qershori i kaluar.

Më shumë se një e katërta e kontinentit është në thatësirë që nga prilli dhe shumë vende po përgatiten për një përsëritje – ose më keq – të verës së thatë të vitit të kaluar.

Një studim duke përdorur të dhëna satelitore konfirmoi në fillim të këtij viti se Evropa ka vuajtur nga thatësira e rëndë që nga viti 2018.

Rritja e temperaturave po e bën të vështirë rikuperimin nga ky deficit, duke e lënë kontinentin të mbërthyer në një cikël të rrezikshëm ku uji bëhet gjithnjë e më i pasigurt.

Me verën në prag, qeveritë tani po përpiqen të adresojnë mungesat aktuale dhe të ardhshme – ndërkohë që menaxhojnë tensionet që lindin nga konkurrenca në rritje për ujin.

“Thatësira”, tha kryeministri spanjoll Pedro Sánchez javën e kaluar, “do të jetë një nga debatet qendrore politike dhe territoriale të vendit tonë gjatë viteve të ardhshme”.

Thatësira dimërore
Thatësira historike e vitit të kaluar varfëroi sipërfaqen dhe rezervuarët nëntokësorë të Evropës.

Dimri duhej të sillte lehtësim. Por shumë nga rajonet më të goditura të kontinentit panë pak shi ose borë.

Franca, ku nuk ra shi për më shumë se 30 ditë radhazi në janar dhe shkurt, përjetoi dimrin e saj më të thatë në 60 vjet.

Fondacioni i kërkimit CIMA i Italisë gjeti një ulje prej 64 për qind të reshjeve të borës deri në mes të prillit.

Sipas ministres së tranzicionit ekologjik Teresa Ribera, disponueshmëria e ujit në Spanjë, ashtu si në Francë, mund të bjerë deri në 40 për qind deri në vitin 2050.

“Reshjet e dimrit janë vendimtare për vendet mesdhetare në veçanti”, tha Fred Hattermann, një hidrolog në Institutin e Potsdamit për Ndikimin Klimatik.