Kryediplomatja gjermane fton investitorët të ndihmojnë Kosovën në furnizim me energji
Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Analena Baerbock, ka thënë se synimi i Gjermanisë është që Evropa të jetë kontinenti i parë i pavarur në energji. Siç ka thënë ajo, Gjermania dëshiron ta largojë varësinë nga gazi rus dhe do ta bëjë këtë duke nisur importin e gazit dhe vajit nga shtetet tjera. Në këtë rast ka përmendur Kosovën duke kujtuar se së fundmi në këtë shtet u inaugurua një park i erës në Mitrovicë.
Në një fjalim në Dialogun e Tranzicionit Energjetik në Berlin, Baerbock, ka thënë se me këtë park të erës synohet furnizimi me energji i rreth 100 mijë shtëpive në Kosovë.Sipas ministres gjermane, qëllimi për pavarësim nga gazi rus duhet të bëhet vetëm në bashkëpunim të të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian dhe të tjera shtete evropiane.
Teksa ka thënë se ndihet e nderuar që në këtë takim ka marrë pjesë edhe ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, Baerbock ka thënë se Kosova do të bëhet më e pavarur me parkun e ri të erës.“Pasi që këtu të pranishëm janë shumë ekspertë që ndërtojnë sisteme të energjisë solare dhe erës, i ftoj përzemërsisht të jenë me ne dhe të interesohen se si mund t’i ndihmojnë Kosovës, jo vetëm në furnizim me energji, por edhe në aspektin e sigurisë në këtë situatë kritike”, ka thënë Baerbock.“Investimi është më i madhi i huaj në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë është i gjelbër dhe i pastër. Parku i erës do të furnizojë me energji rreth 100 mijë shtëpi dhe do të mbulojë 10 për qind të konsumit në Kosovë”, ka thënë ajo para rreth përfaqësuesve të 50 shteteve.Ka lavdëruar planin e punës, ndërsa u ka bërë thirrje ekspertëve për të ndihmuar Kosovën me energji, por edhe në aspektin e sigurisë.Parku i erës në Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës është financuar nga Gjermania. Është investimi më i madh i huaj deri tash në Kosovë. Mbi 170 milionë euro janë investuar për këtë projekt, ku fuqia e përgjithshme e instaluar është 105 megavat në orë.