Kryeministri Hoti: FSK-ja është emblemë e identitetit të shtetësisë së Kosovës

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes z. Anton Quni vizitoi kazermën “Adem Jashari”, ku u prit nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, bashkë me eprorë dhe ushtarë.

Me këtë rast Kryeministri Hoti theksoi se FSK-ja është emblema e identitetit të shtetësisë së Kosovës, është shenja dalluese e modernitetit dhe e së ardhmes euroatlantike të Republikës sonë.

Ai nënvizoi se qytetarët me të drejtë e vlerësojnë FSK-në si institucionin më të besueshëm në vend dhe nënvizoi se ky është rezultat i politikave të duhura të Ministrisë së Mbrojtjes, udhëheqjes së mirë të eprorëve dhe punës e përkushtimit profesional të secilit pjesëtar të saj.

Kryeministri Hoti tha se pjesëtarët e FSK-së e kanë dhënë me sukses provimin e tyre para qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, duke marrë pjesë aktive edhe në përpjekjet për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid 19.

Për rritën dhe perfeksionimin e FSK-së, Kryeministri Hoti falënderoi edhe vendet mike, anëtare të NATO-s, kontributin e të cilave e vlerësoi  maksimalisht.


Kryeministri Hoti theksoi se Ushtria e Republikës së Kosovës do të jetë anëtare e Aleancës Veriatlantike, do të zhvillohet e do të forcohet sipas standardeve dhe kritereve të kësaj aleance, në mënyrë që edhe djemtë dhe vashat tona të jenë pjesë aktive e misioneve paqësore kudo në botë./qendrapress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *