Kryeministri kroat: Për qytetarët e Kosovës bëmë çfarë do bënim për kroatët tanë

0

                       Shteti kroat ka reaguar me urgjencën dhe përkushtimin e njëjtë në shpëtimin e jetëve të qytetarëve të Kosovës, ashtu siç do të reagonte po të ishin në pyetje qytetarë kroatë, ka thënë kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në një intervistë  për Albanian Post, kur ka folur për aksidentin tragjik të një jave më parë (25 korrik), pasi një autobus me 69 kosovarë brenda devijoi nga trajektorja e rrugës dhe u rrokullis anash saj.10 pasagjerë mbetën të vdekur në vend, të tjerët, edhe ata të lënduar rëndë, shpëtuan falë një mobilizimi dhe intervenimi shumë të shpejtë të autoriteteve kroate.“Për qytetarët e Kosovës bëmë çfarë do bënim për kroatët tanë”, thotë Plenkoviç, duke shtuar se ndjenë pikëllim të madh “për secilën jetë që ka humbur atë ditë”.“Nuk kemi parë aksident më të tmerrshëm në rrugët kroate për një kohë të gjatë. Por, ajo që është me rëndësi, është koordinimi jonë dhe i shërbimeve tona emergjente për të ofruar asistencë për të gjithë ata që kishin nevojë dhe parandaluam një numër fatalitetesh edhe më të madh”, deklaron kryeministri kroat për AP-në, i cili me HDZ-në e tij (Unioni Demokratik Kroat) po udhëheqë Kroacinë në mandatin e dytë rresht – vetëm i dyti kryeministër kroat, pas Ivo Sanader, që ka arritur dy mandate si kryeministër.Për Plenkoviç jo vetëm reagimi institucional ishte si për shtetasit e vetë, por edhe dhimbja për ata që humbën jetën e familjarët e tyre.“Ky aksident është një tragjedi për Kosovën dhe popullin e saj, por është njëjtë tragjik dhe burim i vuajtjes së madhe edhe për popullin e Kroacisë”.Por, kryeministri kroat thotë se aq sa ndjenë dhimbje në një anë, mbushet krenari në anën tjetër, pas reagimit jashtëzakonisht të shpejtë dhe profesional të “të gjitha institucioneve dhe shërbimeve kroate”.“Reaguan menjëherë dhe përpjekja ishte maksimale për të ndihmuar të gjithë të lënduarit dhe ata që fatmirësisht nuk u lënduan”.

Mobilizimi dhe qëndrimi i tillë në krah të pasagjerëve nga Kosova është një reaksion i natyrshëm i kroatëve për shqiptarët, pohon Plenkoviç. E dikton edhe historia e përbashkët e dy popujve.

“Aksidentet na obligojnë që të qëndrojmë së bashku. Ne e kemi treguar këtë jo vetëm në këtë situatë fatkeqe, por edhe në krizat e kaluara dhe rreziqet në 30 vjetët e fundit”.“Kosova dhe Kroacia kanë raporte shumë të mira bilaterale dhe kuptohemi shumë mirë mes vete, sepse ne e dimë sa kërkues dhe me sakrifica ishte shtegu drejt pavarësisë dhe ndërtimit të shteteve tona”.Marrëdhëniet Kosovë – Kroaci Plenkoviç thotë se janë “të kamotshme dhe miqësore”, çka është dëshmuar edhe “nëpërmjet bashkëpunimit të jashtëzakonshëm bilateral dhe shkëmbimeve të vizitave”.Ai kujton se “Kroacia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet diplomatike janë etabluar 13 vjet më parë”.“Gjatë asaj periudhe Kroacia fuqishëm ka mbështetur sovranitetin territorial dhe integritetin e Kosovës dhe do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën. Raportet tona kanë avancuar në një nivel akoma më të lartë miqësie dhe bashkëpunimi. Kroacia mbetet një avokuese e fuqishme e perspektivës evropiane të Kosovës”.

Dita e aksidentit në sytë e Plenkoviç

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, në konferencë për media pas aksidentit
Ishte e diel, mëngjes. Dikush e telefonoi Plenkoviç-in për t’i treguar se një autobus me targa të Kosovës që nisjen e kishte nga qyteti gjerman Frankfurt e destinacionin në Prishtinë, ishte rrokullisur skaj rrugës afër Slavonski Brod, qyteti lindor në kufij me Bosnjën dhe Hercegovinën.“Menjëherë kam kërkuar që të gjitha organet relevante të reagojnë me shpejtësi”, kujton Plenkoviç.“Ministri i Shëndetësisë, Vili Beros, dhe drejtori i Mbrojtjes Civile, Damir Trut, kanë udhëtuar menjëherë për te vendi i ngjarjes për t’u siguruar se po merren të gjitha masat për t’u dhënë shërbimi emergjent në mënyrën më të mirë”.“Stafi drejtues në spitalin e Slavonski Brod, drejtori, doktor Samardzic, të gjithë punonjësit shëndetësorë, policia, brigadat e zjarrfikësve, mbrojtja civile dhe Kryqi Kuq i Kroacisë, por edhe të gjitha shërbimet tjera, që shërbyen në dhënien e asistencës dhe akomodimit për të lënduarit, kanë reaguar me shpejtësinë dhe profesionalizimin më të madh”.Plenkoviç thotë se personalisht ishte siguruar se të gjitha ekipet e nevojshme duhet të jenë në gjendje gatishmërie derisa e njoftonin në vazhdimësi për ngjarjen.“Tetë ekipe të urgjencës mjekësore me pajisje dhe automjete janë dërguar në vendin e ngjarjes. Kanë ndihmuar nxjerrjen e njerëzve nga autobusi dhe kanë ofruar ndihmën e parë te ata që kanë qenë të lënduar dhe kanë transportuar të gjithë menjëherë në dy spitale: në Slavonski Brod dhe Nova Gradishka”.“Fatkeqësisht, disa nga qytetarët nuk mund të shpëtoheshin dot, sepse kishin humbur jetën direkt nga goditja dhe tashmë ishin të vdekur kur ekipet kishin mbërritur. Por, të gjithë ata që u gjetën të lënduar janë shpëtuar”.“12 zjarrfikës me pesë automjete kanë asistuar për t’i tërhequr pasagjerët e lënduar nga autobusi dhe kanë lëvizur më pas vetë mjetin nga vendi ku kishte rënë. Policia e konfirmoi se në autobus ishin 69 persona, përfshirë vozitësit. Të dhënat tjera nxorën se kishte 10 fatalitetet, 13 persona me lëndime të rënda, 30 me lëndime më të lehta dhe 15 pasagjerë ishin pa lëndime fare”.Institucionet ishin siguruar se “të gjithë pasagjerët janë trajtuar nga stafi mjekësor, u është ofruar vendqëndrim dhe gjithçka tjetër e nevojshme. Ata që nuk kishin lëndime, janë liruar nga spitali”.

Një helikopter për Kurtin

Albin Kurti mbërrin në Slavonski Brod të Kroacisë me helikopterin e ushtrisë kroate
Derisa Plenkoviç po merrej me kauzalitetet e aksidentit, ai ishte kujdesur që për gjithçka ta informonte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Menjëherë pas aksidentit, kam biseduar me kryeministrin Kurti, të cilit i kam shprehur ngushëllimet e mia dhe të qeverisë kroate e popullit kroat. Pastaj e kam informuar me gjithçka që po bënim”.

“E kam siguruar se Kroacia do të ndihmojë në të gjitha format që është e nevojshme”.

Veç kryeministrave, edhe ministrat kroatë kishin vendosur kontaktet me homologët e tyre nga Kosova.

Ndërsa kur Kurti i kishte thënë Plenkoviç-it se e ka ndërmend të udhëtojë për në Kroaci, kryeministri kroat ishte vënë në lëvizje për ta mundësuar udhëtimin sa më shpejt.

“Menjëherë kam shtyrë aktivitetet tjera dhe kam ndryshuar planet që të udhëtoja nga Dalmatia për në Slavonski Brod dhe të takohem me të e ministrat e tij”.

Ai falënderon pilotët e Forcës Ajrore Kroate, “që kanë transportuar delegacionin e Kosovës me një helikopter ushtarak kroat për në Kroaci”.

Dy kryeministrat bashkë kishin vizituar të lënduarit gjithashtu dhe pasagjerët që nuk ishin lënduar dhe ishin akomoduar në Slavonski Brod.

Plenkoviç mendon se vizita e përbashkët “u ka bërë mirë shumë atyre (të lënduarve) pasi që ndjenë përkujdesjen nga të dyja palët – Kroacia e Kosova – në ato momente të vështira”.

Çfarë do të ndodhë me shoferin?

Shoferi i autobusit i prangosur dhe i shoqëruar nga policët në Kroaci
Krye-qeveritari kroat, që është jurist me profesion, ka folur më në detaje edhe për rastin gjyqësor ndaj shoferit, i cili vetë dëshmoi në polici se arsye e daljes së autobusit nga rruga ishte pakujdesia e tij, meqë e kishte zënë gjumi në timon.

“Procedurat deri më tani po shkojnë në formën e tyre standarde”, tregon Plenkoviç.

“Marr vesh se ai është intervistuar dhe është vendosur në paraburgim për 30 ditë. Në të njëjtën kohë, Zyra e Avokatit të Popullit, ka kërkuar një raport të një eksperti të trafikut dhe intervistimin e disa dëshmitarëve që ishin pasagjerë në autobus”.

“Policia në ndërkohë po merret me mbledhjen e dëshmive të tjera relevante për të gjykuar rrethanat e aksidentit. Këto do të vazhdojnë, bashkë me raportin e ekspertit dhe do shqyrtohen nga Zyra e Avokatit në Slavonski Brod dhe më pas do vendoset për hapa të mëtutjeshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *