Kryeministri Kurti përkujtoi 27 martirët e Tusuzit
Mëngjesin e sotëm, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e nisi me homazhe në qytetin e Prizrenit, duke vendosur kurora me lule tek varret e të vrarëve në masakrën e Tusuzit, në nderim dhe përkujtim të martirëve e dëshmorëve të Lagjes së Trimave.
Martirët dhe dëshmorët e kombit janë në njërën anë dëshmi e qëndresës sonë, e rezistencës së popullit, e atdhedashurisë për të jetuar në liri e në paqe në tokën stërgjyshore, por në anën tjetër janë gjithashtu edhe dëshmi e krimeve të Serbisë, e krimeve të kryera gjatë luftës, ku bëjnë pjesë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, tha Kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti përkujtoi martirët e lagjes së Trimave-Tusuzit, që para 25 vitesh u vranë mizorisht dhe në mënyrë të pamëshirshme. “27 martirët e Tusuzit, janë sot 27 lule nga të cilët rritet liria jonë dhe gëzohet shteti ynë”, tha ai.
“Nuk ka asnjë brez të shqiptarëve që nuk ka kaluar së paku në një luftë. Ka breza të shqiptarëve edhe me nga dy e tri luftëra. Por, duhet të angazhohemi e të punojmë për shtet, për shtëpinë e përbashkët të popullit e të shoqërisë që ta kemi atë të fortë dhe brezi i pasluftës të jetë brezi i parë i cili nuk do të përjetojë luftë. Për këtë na nevojitet shteti i drejtë, demokratik dhe i zhvilluar, me ushtri dhe me polici që na mbron. Andaj, me këtë përkushtim si Kryeministër i Republikës, por edhe si njëri nga ju, si qytetar i Kosovës së pavarur, unë shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim më të thellë për qëndresën tuaj gjatë këtyre plotë 25 viteve,” tha Kryeministri Kurti.