Kryeministri Kurti vizitoi gjeneralin Bislim Zyrapi, i uroi shërim të shpejtë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka vizituar ish-shef i Shtabit Operativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjeneralin, Bislim Zyrapi.
Kurti këtë vizitë e bëri pasi Zyrapi kishte kaluar disa ditë në gjendje kome dhe i intubuar, me këtë rast Kurti i ka uruar shërim të plotë e sa më të shpejtë.
“Mbrëmë, e vizitova Gjeneral Bislim Zyrapin, i cili po e merr veten pas një sulmi në zemër së fundmi, ndërkohë që është në terapi të dializës. Pasi i ka kaluar disa ditë në gjendje kome dhe i intubuar, Gjeneral Zyrapi është zgjuar duke u kthyer në jetë dhe tani po i përmirësohet shëndeti. Andaj bashkë me zëvendësministrin e mbrojtjes Shemsi Syla dhe këshilltarin politik Hajriz Sejdiu, i uruam të shkuara dhe shërim të plotë e sa më të shpejtë.
Me Gjeneral Bislim Zyrapin jemi takuar disa herë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në ato kohëra të vështira por edhe të lavdishme. E kujtoj veçanërisht natën e 31 dhjetorit 1998, kur me Gjeneral Zyrapin dhe me luftëtarë e bashkëpunëtorë të tjerë, e patëm pritur bashkë vitin e ri 1999 në Nekovc të Drenasit. Gjeneral Bislim Zyrapi ka qenë Shef i Shtabit Operativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë një kontribut të çmueshëm gjatë luftës çlirimtare në Kosovë më 1998 dhe 1999. Ndërsa paraprakisht, në gjysmën e parë të viteve ‘90, në Bosnje e Hercegovinë, Bislim Zyrapi ka luftuar edhe atje, si komandant i një njësie speciale gjatë gjithë periudhës gati katër vjeçare të rrethimit të Sarajevës e në mbrojtje të saj.” ka shkruar Kryeminsitri Kurti.