Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciativë ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se, si institucion i Prokurorit të Shtetit, ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciative ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis. Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.