Kryetarët e disa komunave të pakënaqur me ndarjen e buxhetit për vitin 2021
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të parë Projektbuxhetin për vitin 2021.
Mirëpo nga ky buxhet mbeten të pakënaqur disa kryetarë komunash të cilët kërkojnë më shumë fonde për investime kapitale në komunat që drejtojnë.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se Qeveria e Kosovës në buxhetin e vitit 2021 nuk ka paraparë pothuajse asnjë projekt të ri për komunën e që drejton.
“Fatkeqësisht Qeveria e Kosovës në buxhetin e vitit 2021 nuk ka paraparë pothuajse asnjë projekt të ri të komunës sonë. Andaj kërkoj nga deputetët që nesër përmes amendamentimit t’i fusin në buxhetin e vitit 2021 projektet e komunës sonë, si në ujësjellës, kanalizim, rrugë, ndriçim, trotuare, arsim, kulturë, rini, sport, banim, shëndetësi e zhvillim ekonomik. Projekte këto që ndikojnë drejtpërdrejtë në ngritjen e nivelit të mirëqenies sociale në komunën tonë, si komunë që më së shumti është shkatërruar nga lufta e fundit dhe ende nevojat janë jashtëzakonisht të mëdha. Këtë ia kemi borxh secilit qytetar që na ka dhënë besimin dhe që e përfaqësojmë në institucionet lokale e qendrore”, ka shkruar Jashari.
Edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka adresuar kritika për buxhetin që parashihet për vitin 2021.
Haskuka duke u bazuar edhe në raportin e GAP, tha se Prizreni në keto tre vite ka qenë i diskriminuar në aspektin e investimeve nga ana e qeverisë.
“Investimet e qeverisë në Prizren, në vitin 2020 kanë qenë 20 fish më pak se në disa komuna. Nëse shikohen edhe komunat e mëdha, Prizreni është në fund të listës për investimet qeveritare, me vetëm 23 euro për kokë banori. Në anën tjetër në të gjitha komunat rajonale është investuar së paku dyfish më shumë, e në disa raste rreth 6 fish më shumë se në Prizren, si në rastin e Gjakovës me 123 euro për kokë banori.
Buxheti i PAN-it kishte diskriminuar, por tani buxheti i ri po diskriminon edhe më shumë Komunën e Prizrenit”, ka shkruar Haskuka në një reagim në Facebook.
Haskuka thotë më tej se fondet për çdo projekt në Prizren ose janë zvogëluar ose janë shtyrë për vitet 2022 dhe 2023, ashtu që të mos të përfundojnë në vitin 2021.
Pakënaqësi ka shprehur edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri i cili deklaroi se projektbuxheti për vitin 2021 është i padrejtë për komunën që ai drejton, duke kërkuar që buxheti i shtetit të ndahet barabartë për të gjitha qytetet e Kosovës.
“Për tu ndrequr sado pak kjo padrejtësi ndaj qytetit të Vushtrrisë, unë i kam propozuar sot Komisionit për Buxhet dhe Financa 5 amandamente (të gjitha këto kërkesa me kohë i kemi dërguar por janë injoruar nga ministritë e linjës) me projektet si në vijim:
Zgjerimi i rrugës magjistrale Nedakovc-Vushtrri
Rritja në 1 milion e mjeteve buxhetore për projektin e rregullimit te shtratit të lumit Silnica (sipas Memorandumit të nënshkruar në mes të Komunës dhe MEA)
Përfshirja në Ligjin e Buxhetit të projektit të Unazës së poshtme të Vushtrrisë
Rregullimi i parkut rekreacional “Taraxha”
Ndërtimi i rrugëve në fshatrat e Vushtrrisë: Skoqen, Samadrexhë-Dumnicë, Sllakoc-Kurillovë dhe rrugëve lokale në qytet.”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Nesër (martë) në orën 14:00, Kuvendi të mblidhet për ta miratuar në lexim të dytë buxhetin.
Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2 miliardë e 412 milionë euro./