Kryetari i Deçanit tregon kush janë 13 dhe 17 vjeçari që i mbyti treni në Gjermani
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka shkruar për rastin tragjik që ka ndodhur sot në Gjermani, ku dy vëllezër kosovarë kanë mbetur të vdekur.
Ramosaj ka konfirmuar se dy të rinjtë e familjes Arifaj vijnë nga Ratishi i Epërm i Komunës së Deçanit, shkruan Reporteri.
Ai ka thënë se tragjedia e sotme ka goditur jo vetëm familjen Arifaj por edhe tërë Deçanin.
“Deçani është tronditur rëndë nga tragjedia që ndodhi sot në Bruckberg afër Münchenit të Gjermanisë me ç’rast humbën jetën dy vëllezër Arifaj njëri në moshën 13 vjeçare dhe tjetri në moshën 17 vjeçare.
Për Deçanin dhe qytetarët e Deçanit është rast i rënd dhe ditë zie tejet pikëlliese tragjedia që i ndodhi familjes Arifaj nga Ratishi i Epërm i kësaj komune.
Ngushëllime familjes dhe të gjithë qytetarëve për këtë rast tejet të rëndë”, ka shkruar ai.
Sipas informacioneve të publikuara në mediat gjermane, 17 dhe 13 vjeçari nga Kosova në momentin e tragjedisë po tentonin që të kapnin trenin i cili ishte në stacion, për këtë arsye të dy kishin vrapuar drejt shinave. Ata u goditën nga një tren që po vinte drejt Mynihut dhe lëndimet e marra ishin fatale pas goditjes.