Kryetari Shaqir Totaj priti sot Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i shoqëruar me zyrtarë të kabinetit të tij dhe Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Kjo është vizita e parë e z. Beci si Kryetar Bashkie në Kosovë, me ç’rast u diskutua për ngjashmëritë që ka Prizreni me qytetin e biçikletave, humorit, kulturës dhe muzikës, Shkodrën, si një parakusht për ta filluar bashkëpunimin përmes projekteve të përbashkëta dhe promovimin e të dyja vendeve.
Tema diskutimi ishin bashkëpunimet në fushën e zhvillimit ekonomik, kulturës, sportit dhe turizmit, ku, me vullnetin që u shpreh sot do të mundësohet të vihet në zbatim që Komunën e Prizrenit dhe atë të Shkodrës ta shohim shumë më afër njëra-tjetrës.
Theks të veçantë gjatë bisedës iu dha edhe zgjerimit të shtigjeve për çiklistët si dhe motivimi i agjencive turistike për të krijuar oferta joshëse për qytetarët, për t’i intensifikuar vizitat në të dyja pjesët.
Gjatë vizitës së z. Beci, z. Minxhozi dhe zyrtarëve shkodranë, u zhvilluan takime edhe me përfaqësuesit e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Filmit të Metrazhit të Shkurtër “DokuFest” si dhe përfaqësuesit e Innovation and Training Park (ITP) në Prizren.