Kryetari Totaj, së bashku me nën. Kujtim Gashi, vizituan vendin ku mbrëmë ndodhi incidenti i rëndë me mjete piroteknike
Sot, Kryetari Shaqir Totaj, së bashku me nënkryetarin Kujtim Gashi, vizituan vendin e ngjarjes ku mbrëmë ndodhi një incident i rëndë me mjete piroteknike në rrugën ‘Ahmet Prishtina’. “Ngjarje të tilla janë një thirrje e fortë për të gjithë që të jemi më të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm në çdo moment” – tha Kryetari Totaj.
Përveç lëndimit të një personi, ky incident ka shkaktuar edhe dëmtime në disa lokale afariste dhe banesa përreth, duke prekur sigurinë dhe pronën e qytetarëve tanë. “I urojmë personit të lënduar shërim sa më të shpejtë dhe u shprehim solidaritetin tonë të gjithë atyre që kanë pësuar dëme materiale. Në kuadër të mundësive që i ka Komuna, do të përpiqemi t’ju dalim në ndihmë për të përballuar këtë situatë. Falënderoj organet e rendit dhe zjarrfikësit për ndërhyrjen e shpejtë, ndërsa ne do të vazhdojmë të punojmë për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Le ta fillojmë këtë vit të ri me më shumë kujdes dhe respekt për njëri-tjetrin” – u shpreh me këtë rast Kryetari Totaj.