Kryeziu: Asociacioni ka mundësi pjesërisht të mos pranohet nga Gjykata Kushtetuese

                   Njohësi i çështjeve ligjore dhe ish gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, tha se nëse nuk do të ketë ndryshime politike apo zgjedhje të reja në Kosovë, më 24 janar Qeveria duhet ta përgatis draft-statutin e Asociacionit dhe ta dërgoj në Kushtetuese.

Kryeziu tha se bazuar në atë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar këtë marrëveshje, ai e ka detyrë shtetërore dhe ndërkombëtare që ta zbatoj marrëveshjen.

“Data nuk mund të japim por unë konsideroj se ky muaj ndoshta do të jetë ai muaj final nëse nuk ka ndryshime politike, nëse nuk ndodhin zgjedhjet e kështu me radhë, më 24 janar kjo duhet të përgatitet dhe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Në bazë të asaj kryeministri ynë e ka pranuar këtë marrëveshje në tërësi dhe duhet të jetë pranë asaj marrëveshje për ta zbatuar, detyrë e ka shtetërore dhe ndërkombëtare që ta zbatoj këtë marrëveshje”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se në marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian janë 39 marrëveshje, ndër të cilat është edhe Asociacioni.

“Aty janë 39 marrëveshje, në mesin e tyre është edhe Asociacioni. Disa marrëveshje kanë filluar vetëm të zbatohen, janë të karakterit më të ulët, kjo ka karakter politik për këtë arsye është më esencial, duhet të kemi më kujdes por bota perëndimore na ka lejuar që ne të vendosim, dmth institucionet tona kombëtare siç është qeveria dhe gjykata Kushtetuese të vendosin përfundimisht”, u shpreh Kryeziu.

Ndërsa i pyetur për procedurat e dërgimit të kësaj marrëveshjeje në Kushtetuese, Kyreziu tha se kjo është procedurë e njëjtë sikurse e ligjeve.

“E njëjta procedurë shkon bazuar në ligje, Gjykata Kushtetuese ka kompetencë, të drejtë dhe detyra, nëse konsiderohet që ka ligji në kundërshtim me Kushtetutën, mund ta lejoj në tërësi. Edhe statutin nëse konsiderohet se ka kundërshtim me Kushtetutën mund ta eliminoj si tërësi, por nëse jo edhe pjesërisht. Tash unë e konsideroj që ka mundësi që pjesërisht të mos pranohet sepse ka disa elemente që nuk janë të qarta dhe bien në kundërshtim me Kushtetutën”, u shpreh Kryeziu.

Ai shtoi se edhe nëse krijohet Asociacioni, do të jetë një komunë më e vogël se e Prizrenit e cila nëse nuk do të ketë sukses, pas disa viteve do të shpërbëhet.

“Do të krijohet njëfarë lloj komune e cila do të jetë më e vogël se komuna e Prizrenit dhe do të ngritën disa kompetenca, vetanake dhe të zgjeruara për çështje të karakterit komunal, do të ketë probleme të shëndetësisë, arsimit, ekonomisë, urbanizmit etj. Konsideroj që Qeveria e Kosovës duhet me qenë e gatshme ta menaxhoj këtë, përndryshe Asociacioni ka me qenë pilot projekt 2 vjet plus 3 vjet dhe nëse nuk funksionon, mund edhe të shpërbëhet”, tha Kryeziu. /Teve1