Kryeziu: Shteti nuk operon me dyshime, por me fakte – zonja Presidente dhe Ministre, pak më serioz ju lutem

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar pas konferencës për shtyp të ministres në detyrë, Albulena Haxhiu.

Ai ka thënë se shteti nuk operon me dyshime, por me fakte, dhe se Presidentja Osmani dhe Ministrja Haxhiu duhet që të prezantojnë faktet dhe të ballafaqohen me të gjithë ata që mund t’i sfidojnë këto fakte, lidhur me gjyqtarin e Kushtetueses, Radomir Llaban.

Postimi i plotë:

Nuk më pëlqeu konferenca për shtyp e Ministres në detyrë të Drejtësisë, zonja Albulena Haxhiu
Radomir Llaban e njoh që nga viti 2011 kur është punësuar në Gjykatë Kushtetuese. Po ashtu kam informacion të mjaftueshëm për prapavijën, lidhjet dhe raportet që ai i ka me palë të treta. Thënë të vërtetën nuk e di nëse vërtet është agjent i BIA-së serbe, por gjërat e tjera që i tha zonja Haxhiu janë pak a shumë të vërteta. Megjitharë konferenca pompoze për shtyp nuk është metoda e duhur për ta trajtuar problemin.
Shteti serioz nuk operon me dyshime, por vetëm me fakte përtej dyshimit të bazuar, pra me ato që mundësojnë veprime konkrete. Meqënëse vetëm e kanë bërë temë publike, Presidentja Osmani dhe Ministrja Haxhiu duhet që të prezantojnë faktet dhe të ballafaqohen me të gjithë ata që mund t’i sfidojnë këto fakte.
Zonja Presidente, zonja Ministre, pak më serioz, ju lutem.