Kryeziu tregon procedurat kushtetuese për formimin e qeverisë së re

                             Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në emisionin CONTEXT në ATV, sqaroi hapat kushtetues që duhet të ndiqen për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve. Sipas tij, procesi nis me certifikimin e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili nuk ka afat të përcaktuar për këtë veprim, por praktikat e mëparshme sugjerojnë një periudhë rreth 10 ditë. “KQZ-ja si institucion kushtetues ka për detyrë regjistrimin e kandidatëve dhe certifikimin e rezultateve. Në parim, nuk ka afat të përcaktuar për këtë, por zakonisht duhet të përmbyllet brenda dhjetë ditëve”, tha Kryeziu. Ai shtoi se pas certifikimit të rezultateve, procesi kalon në Kuvendin e Kosovës, ku fillimisht bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve dhe thirrja e mbledhjes konstituive nga Presidentja, e cila ka afat deri në tridhjetë ditë për këtë veprim.