Kryeziu: Zgjedhjet e jashtëzakonshme, rruga e vetme kushtetuese në rast të moskonstituimit të Kuvendit

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë rruga e vetme kushtetuese nëse Kuvendi i ri nuk arrin të konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Kushtetuta.

Duke iu referuar pikës 105 të një aktgjykimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, Kryeziu thekson se mosfunksionalizimi i Kuvendit cenon parimin e ndarjes dhe balancës së pushteteve. Sipas tij, në një situatë të tillë, mandati duhet t’i kthehet popullit të Kosovës si sovran i vetëm.

Ai shton se, edhe pse Kushtetuta nuk përcakton shprehimisht pasojat juridike në këtë rast, Presidenti i Republikës ka të drejtë ta shpallë me automatizëm mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në përputhje me interpretimin kushtetues.