Kryhen dy koronografitë e para në mënyrë të pavarur në Spitalin e Prizrenit

Një arritje e rëndësishme është shënuar në Shërbimin e Kardiologjisë Invazive të Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, ku u kryen me sukses dy koronografitë e para në mënyrë të pavarur nga ekipi i brendshëm i mjekëve.
Deri më tani, këto procedura janë realizuar nga, ose nën mbikëqyrjen e ekipeve të ardhura nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK). Tash e tutje, ato do të kryhen nga kardiologët Dr. Fazli Berisha, Dr. Ramiz Kadriaj dhe Dr. Fati Tamnik, sipas listës së pritjes, gjë që pritet të ndikojë dukshëm në shkurtimin e kohës së pritjes për pacientët, raporton PrizrenPress. Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të spitalit, Dr. Shefki Xharra, vizitoi ekipin dhe përgëzoi punën e tyre, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit të Kardiologjisë Invazive. Që nga fillimi i punës më 14 qershor 2024, ky shërbim ka realizuar 873 koronografi dhe 301 stentime, duke përfaqësuar një progres të madh në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët e Prizrenit dhe rajoneve përreth. “Ky progres përfaqëson një hap të madh përpara në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët e Prizrenit dhe rajoneve përreth”, thuhet në njoftimin e spitalit.