KUFIZIMI I LËVIZJES HAP I GABUAR PËR NDALIMIN E PËRHAPJES SË VIRUSIT- Shkruan ;Prof .Dr . Nexhat Çoçaj

0

Kufizimi i lëvizjes së lirë natën prej orës 21:00 deri në ora 05 të mëngjesit, nuk ndihmon zbatimin e masave për parandalim, përkundrazi i ndihmon përhapjes më të madhe gjatë ditës!

Për secilën ditë po bindemi se Covit 19 është një virus i rrezikshëm dhe se është një armik i pamëshirshëm dhe i pa parashikueshëm. Por, në anën tjetër, ne qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të jetojmë ndryshe nga popujt e tjetër të Evropës e as që mund ta luftojmë ndryshe këtë virus. Andaj, masat ekstreme të ndalimit të qarkullimit në mënyrë selektive për disa qytete, mendoj se nuk është zgjidhje.

Në këtë mënyrë nëse në nivel kombëtar është marrë vendim, që të mbyllen të gjitha shërbimet, nuk do të thotë që të mbyllen edhe qytetarët. Sepse mbyllja brenda e qytetarëve pa u afruar asnjë shërbim për tetë orë, në fakt është diskriminim dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Këtë diskriminim e bën edhe më të dukshëm dhe më të hutueshëm mos harmonizimi i qëndrimeve dhe veprimeve të qeverisjes lokale dhe asaj qendrore. Janë me qindra banesa kolektive në qytet, të cilat nga ana e institucioneve asnjëherë nuk janë dezinfektuar e as nuk është duke u kujdesur për ato ndërtesa. Ashensorët e ndërtesave asnjëherë nga dita e parë e shpalljes së pandemisë nuk janë dezinfektuar, por as rrethojat e shkallëve të banesave, në të cilat jetojnë me dhjetëra familje e me qindra banorë potencial, që të preken nga virusi, për shkak të mos interesimit të institucioneve.

Në anën tjetër, sa i përket pyetjes suaj se a duhet të hiqet Prizreni nga lista e qyteteve, që ndalohet qarkullimi pas orës 21:00, mendoj se kjo masë jo vetëm se duhet të hiqet në Prizren, por në gjithë territorin e republikës së Kosovës, sepse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me virusin që “t’i prekë” qytetarët vetëm natën, përkatësisht në kohën e ndalim qarkullimit, kur në fakt gjasat janë më të vogla se sa ditën, kur numri i qytetarëve është më i madh.

Lëvizja e lirë mund të ndalohet në grupe të mëdha, por jo edhe të mbyllen, pa të drejtë lëvizje, sepse në këtë mënyrë nuk mund të vetëdijesohet populli.

Zvogëlimi i numrit të të prekurve në Prizren, edhe mund të mos jetë tregues i saktë, sepse ka një numër i madh i qytetarëve të cilët edhe mund të kenë simptoma të gripit, apo ndonjë infektim dhe nuk lajmërohen te mjeku e aq më pak në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe në spital, sepse është fituar bindja se pikërisht në këto vende, po përhapet më së shumti virusi. Atëherë, pse të ekzistojë një ndalim për qarkullim të lirë, kur populli nuk beson se me anë të këtij ndalimi mund të ndalet përhapja apo edhe mund të zvogëlohet numri i të prekurve. Cili është qëllimi i këtij ndalimi të lëvizjes, ruajtja e shëndetit, apo akumulimi i revoltës dhe shfrytëzimi i ditës për të mos i respektuar masat?!

Vetvetiu lind pyetja, athua virusi është itelegjent dhe natën e ka kohë të gjumit, që ne po krijojmë mendësi të tilla?

Me heqjen e kufizimit të lëvizjes së lirë, institucionet vendore, mund të përqendrohen më shumë në vetëdijesimin e popullatës me veprime konkrete. Të fuqizojë vendimin për përdorimin e maskave dhe të jepen hollësira më shumë se kur nuk duhet të përdoren, pasi pjesa më e madhe kanë filluar t’i varin në qafë, apo edhe si bylyzyk në dorë. Të shpërndahen fletushka, për përdorim të masave mbrojtëse, pse jo të shpërndajnë edhe maska dhe dezinfektues, sepse ka qytetarë, të cilët edhe nuk kanë mundësi t’i blejnë për shkak të çmimeve.

Pamundësia a që të bëhen më shumë teste, ka ndikuar që numri i të rezultuarve pozitiv në raport me testet të jetë 50% pozitiv, gjë që e ka futur Kosovën në listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë. Dhe nëse kjo shikohet me këtë njësi matëse, atëherë Qeveria e Kosovës, duhet të jetë më afër qytetarëve të saj, sepse qytetarët jo të gjithë kanë mundësi që të kenë kondicioner dhe ta kenë freskët e të mund të pushojnë./qendrapress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *