Kujtime nga lufta për lirinë e Kosovës -Shkruan;Fisnik Berisha , veteranë i UÇK-së

0

Ditë e premte. Zgjimi i 7 majit të vitit 1999 në odën e një shtëpie në fshatin Petrovë të Shtimjes ku flinim afërsisht 10 ushtarë, që të gjithë nga Prizreni të moshës nën 20 vjeç, nuk ishte i ndryshëm nga ai i netëve të atyre ditëve të pranverës. Nuk na bënin përshtypje krismat dhe bombardimet që binin te muret e shtëpive për rreth dhe as të zgjuarit në 4 të mëngjesit.

Si në çdo zgjim të atyre mëngjeseve dhe në atë të datës 7 maj, unë isha i fundit që shkulesha nga “shiltja” pesë centimetërshe e trashë. Edhe pse mbulesën ma kishte hequr Jeton Morina, unë vazhdoja të qëndroja me sy mbyllur. Doja të shfrytëzoja edhe ca sekonda gjumë. Më justifikohej. Isha më i riu. 16 vjeç nuk i kisha mbushur. Vjen më gazmori Adnan Krasniqi dhe më fut një shkelm dhe më thotë: Çohu o bir luje bythën se na zunë t’gjallë shkijet mrena”,

I jap një të sharë nëpër dhëmbë dhe çohem në këmbë.

Duke ikur në banjo, pa u futur te korridori, i them: a mos janë budallë shkijët me ardh’ deri këtu, kur i kanë predhat dhe mund të na bëjnë qyfte nga atje ku janë”.

I kisha hedhur ujë syve dhe kur bëj të futem në dhomë të kërkoja peshqir për të fshirë fytyrën, shoh Adnanin që i kishte ngulur sytë nuk e di ku, ndoshta po vështronte si asnjëherë më parë odën ku kishim fjetur.

“Çfarë ke që ke humbur kështu o Adnan”, i thotë Fehmi Kelmendi që qëndronte pas krahëve të mi. Ndërsa Duci me humor i thotë: “a po të dhimbset rehatia e dhomës së hotelit me pesë yje që po lomë a?”.

-S’i nuk tu mbyll ajo gojë edhe në 5 të mëngjesit-, i thotë Adnani Ducit dhe dalim në oborr.

Marrim armët dhe nisemi drejt fshatit Mollopolc.

Pas 20 minutash jemi në lagjen e Rrënojëve të pozicionuar.

Ishim në kokërr të lendinës. Nga tre anët e pamë veten se ishim të rrethuar. Rreth orës 5 të mëngjesit e gjejmë veten në qiell të hapur duke fluturuar mbi kokat tona dhjetëra, qindra… predha të artilerive të rënda.

Po prisnim. Pa e ditur çfarë. Predhat vijonin të binin gjithnjë e më afër me të njëjtin ritëm.

Adnan Krasniqi i kërkon Astrit Rexhepit, vëllait të heroit Hysen Rexhepit, të futet në bunkerin e improvizuar në bodrumin e një shtëpie të rrënuar ku ishte vetë.

Ndryshojnë pozicionet Astriti dhe Adnani. Pa kaluar pak minuta Adnani po hiqte nga krahët zollën për të sulmuar pozicionet e serbëve.

Dora e tij nuk arriti ta shkrepte.

Ajo dorë nuk do më ledhatonte më as flokët e mia, siç bënte zakonisht.

Në atë betejë nga 10 djemtë e Prizrenit mbetëm të plagosur unë dhe Fehmi Kelmendi.

Shokët e tjerë rezistuan dhe dy ditë të tjera. Pa ujë, pa bukë…

Nuk do të doja të ndalesha më gjatë te beteja. Nuk kam zemër.

Por doja të kthehesha te oda. Ajo në fakt s’gjante me odë, për shkak të ajrit që përcëllonte sa nga vapa, e sa nga dërrasat e shformuara që lëshonin duhmë të rëndë e ca më tepër nga prania e 10 vetave të larë e palarë në 15 metra katror. Se di pse vazhdoj ta dua kaq shumë edhe pas 22 vitesh atë odë me gjithçka kishte brenda.

E ruaj akoma atë shikim të harlisur të Adnanit që i bënte odës. Sikur e parandiente atë çfarë do të ndodhte disa minuta, orë… më vonë.

S ‘mund ta besoja se në memorien time ajo pamje e harlisur, ai zgjim, ato fjalë që shkëmbyem, ai gjumë që bëmë në atë odë, … do të mbeten të ngulitur aq thellë.

I kam para syve taketuket e mbushura me filtrat e cigareve që kishim pirë para se të flinim, stolat prej druri, ngjyrën e shilteve të grisura vende vende, vrimat e dërrasave dhe gozhdat e ngulura në to, shaminë e kuqe me pika të bardha të Adnanit që e mbante si sytë e ballit, pushken automatike te Jetonit që nuk e lëshonte nga dora.

Çdo detaj të asaj ode e kam të stampuar. Sikur ta kisha jetuar me vite.

Nuk e shkul dot.

As që dua ta shkul. S’e kam bërë deri më sot. Kisha frikë se nuk dija ta tregoja ndaj s’e kam bërë. S’doja t’i prishja asgjë asaj. Doja ta ruaja në mendjen time ku e kisha mbyllur.

Por aq shumë, ndoshta shumë më shumë, do të doja të harroja betejën. Të fshija nga kujtesa atë që fizikisht mbeti nga ai. Jo s’e kam pishmane. E mbështolla në kraharor. Dhe rrënjosa çdo moment…por ajo që mbart brenda meje prej vitesh është shikimi i Adnanit.

Eh të dija të flisja s’do të pushoja së foluri për të, s’do lodhesha së shtypuri tastierën.

Pas atij mëngjesi, asnjë nga ne nuk është më si më parë. As ajo odë ku fjetëm për herë të fundit. Nuk e di nëse të tjerë kanë fjetur aty.

Sa shumë do të doja të flija dhe një natë në atë odë, në shpatullën e palarë të Adnanit.

Unë kam fjetur në shumë oda të tjera pas atij mëngjesi. Por ai jo.

Ajo ishte nata e fundit e tij.

Nga ai mëngjes ai nuk ka fjetur më kurrë. Prej 22 vitesh Adnani rri zgjuar lart në qiell. Na shikon.

Na mbron. S’na lejon të shkelim mbi dërrasa të kalbura.

Na udhëzon sa herë që na merr mendja erë dhe përplasemi nga dallgët e jetës. Na zbret me këmbë në tokë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *