KUR PYLLIT I MUNGON LUANI, MAJMUNI BËHET MBRET… -Ese nga Besim CENGU
Nga vëllimi me ese dhe kritika “Fjala si algjebër semantike”
Prolog
(Babai im i ndjerë më pat porositur kur ishte në epilogun e jetës:
– Bir, – më pat thënë, – nëse unë tentoj të bëj një veprim dhe ju djemve të mi ju duket se e kam gabim, mos më lini të bëj si dua unë. Plak njeri jam e mosha ka bërë doemos punën e vet. Mund të gaboj apo të mos ia qëlloj tash në shumë raste. Ajo çfarë mua më duket normale, nuk është për ju ndoshta, – shtoi babëloku.
– Do të mundohemi të bëjmë siç na këshillon ti, por kemi frikë se mos të ngelet hatri, – i thashë unë.
– Ani, ani, – tha ai i vendosur, – ju më ndaloni. Ndoshta më ngelet hatri në fillim, por më vonë i thërras mendjes dhe do t’ju jap të drejtë.
Dhe ne në plot raste e ndalëm, kur i mbushej mendja të shkonte larg te ndonjë mik apo në ndonjë të pame, ndërsa babai ynë i mirë nuk na keqkuptoi kurrë. Ai gjithnjë na thoshte:
– Mirë, djem, si të thoni ju, – dhe heshtte.)
I
Para nja dhjetë vjetësh një djalë i mbarë i një burri të mirë më lutet për t’i botuar një libër që e kishte shkruar i ati (!!!). Asiqare e pashë të zënë ngusht (me siguri nga “presioni” që i bënte i ati për ta botuar sa më parë). Ishte një djalë i mirë, punëtor e i sinqertë.
– Ta di për nder, – më tha. Dua t’ia bëj qejfin babës, – shtoi dhe më vuri dorën mbi supe në shenjë afrimiteti.
I ati i tij, vërtet burrë shumë i mirë, i rrafshët e i urtë, fjalëmbël e i pangutshëm, na paska shkruar një libër që nuk kishte lidhje me formimimin intelektual dhe kulturën e tij!
– Çfarë libri, – e pyeta.
– Ku e di unë, libër historik, – më tha.
U çudita!
Kurrë nuk e kisha njohur për poet apo historian. Madje asnjëherë në jetën e tij (me sa di unë) nuk ishte përpjekur për të bërë një hap të tillë. Ne e njihnim për zooteknik shumë të mire, madje.
Në heshtje mendova se ai burri i mirë (nëse libri do të ishte me bejte, fjalë të urta apo përvojë kuvendesh dhe oda burrash), ishte në rregull dhe normal. I ka mbledhur, i ka renditur e klasifikuar e vërtet do të kishin vlerë.
Në të kundërtën, do të bënte gabim.
II
Të ashtuquajturat “monografi” që rëndom botohen kohët e fundit për krahina, fshatra e fise, janë krejtësisht jashtë kritereve e parametrave shkencorë. Ju mungon së pari njohja shkencore e atij që shkruan, oponenca e domosdoshme, recentët, por për më tepër u mungon edhe institucioni redaksional.
Këta libra vuajnë prej subjektivitetit, pasaktësive shkencore dhe shkruhen p[rmes një gjuhë tepër e varfër. E njëjta gjë ndodh edhe me krijimet poetike, mbushur plot e përplot antivlera, prozaizëm e patetizma arkaikë.
III
Një shoqëri e emancipuar nuk duhet të marrë seriozisht veprat e tyre që nuk kanë asnjë bagazh kulturor, asnjë kriter shkencor dhe fund e krye janë shkrime krejt të përcipta e diletante. Por mbi të gjitha duhet t’ia përcaktojë elites së duhur dhe adape detyra e misione të tilla intelektuale.
Si për ironi, libra të tillë promovohen me tamtame përditë në sallat e Muzeut Historik Kombëtar, Akademisë së Shkencave etj. Vijnë pensionistë nga rrethe të ndryshme, të papunë, të persekutuar…edhe nga Amerika me libra deri ne 800 faqe! Mjediset mbushen përplot dhe lëvdatat me fjalor superlativ vu ushtojnë vetëm brendapërbrenda sallës ku bëhet promovimi duke infektuar realitetin social me antivlerat.
Ndërsa heshtet për veprat e njëmendëta të botuara prej akademikëve e shkrimtarëve…
Epilog
(Mora shkas të flas kështu kur ndoqa një dialog i një mikut tim të letrave me një nga këta që as njohin mirë historinë, as njohin thelbësisht artin, as njohin thellë folklorin, as njohin seriozisht traditën…as njohin asgjë, dhe, për më tepër, marrin përsipër barrë të tilla që s’mund t’i mbajnë.
Ndërmarrje të tilla intelektuale në të shumtën e rasteve, shpërfytyrojnë realitetin për më e keq e devijojnë dhe e pordhosin atë.
Botime të tilla shndërrohen në produkte nënmediokre që deformojnë historinë, traditën, kulturën tonë të mirë, vlerat tona të krijuara me aq mund ndër shekuj…
Shkurt, më mirë është të mos botohen, por ç’t’i bësh!? Shumë prej kompetentëve e të diturve (sidomos në rrethe) rrinë duarkryq dhe vetëm soditin, duk u lënë terren këtyre mediokërve.
Mozomakeq ku kemi rënë.
Ej, o njerëz duhet t’i thërrasim mendjes, a kuptoni!!??
Kur pyllin i mungon luani (ose fle i strukur në shpellë) ndodhin gjëra të tilla groteske.
E, kur pyllit i mungon luani, majmuni bëhet mbret, thotë një fjalë e urtë.
E kjo është serioze. Vërtet serioze.)