“Kurdisja dëshmitarëve të rremë kundër Thaçit”, reagon gjenerali amerikan: Jack Smith është në telashe
Gjenerali amerikan Mike Flynn ka kthyer në vëmendje përsëri skandalin e madh të Jack Smith e Faik Imerit në kurdisjen e dëshmive e dëshmitarëve të rremë kundër ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ai në llogarinë e tij në Twitter (X) ka shkruar se Jack Smith është në shumë telashe.
“Jack Smith e di se është në shumë telashe. Shih ankesën e sinjalizuesit të paraqitur pak para Krishtlindjeve. Është informacion i disponueshëm publikisht”, ka shkruar gjenerali Flynn gjatë ditës së sotme.
Në platformën “X” është publikuar një dokument 151 faqe në të cilin pretendohet se janë zbuluar “detaje të hollësishme” të një “skeme korruptive” nën udhëheqjen e ish-prokurorit të specializuar kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili tani drejton hetimet kundër Donald Trump, ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Lajmin e ka publikuar Paul Sperry, gazetar dhe kolumnist i tabloidit amerikan New York Post dhe ditëve të fundit është një nga temat kryesore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy figurat qendrore të përfshirë në skandal janë Jack Smith dhe Faik Imeri. Faik Imeri me dijeninë e Jack Smith paraqitej si agjent i CIA-s për të gjetur dëshmi e dëshmitarë të rremë kundër krerëve të UÇK-së në Hagë, po ashtu i kishte zhvatur shumë persona dhe kishte përfituar mjete të mëdha financiare me këtë skemë mashtrimi.
Të gjitha më poshtë:
Personazhi kryesor në dosje është ish-kryeprokurori Jack Smith dhe Faik Imeri i cili paraqitej me pseudonimin Floriani, si agjent i CIA-s amerikane. Faik Imeri ka lidhje speciale me shumë njerëz në Kosovë përfshirë zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës.
H.S ishte dëshmitar i prokurorisë i cili dëshmoi kundër Thaçit, Veselit e të tjerëve në tetor të vitit 2020. Ai ishte përgatitur totalisht nga Faik Imeri për të dëshmuar në Hagë. Faik Imeri (Floriani) e kishte trajnuar atë për të dëshmuar duke e mashtruar se zyra e CIA-s dhe personalisht Jack Smith qëndron mbrapa tij.
Kur e kuptoi dëshmitari H.S se ishte mashtruar nga Faik Imeri, me 22 prill 2022 shkoi dhe e tërhoqi dëshminë e tij dhe tregoi se e gjithë dëshmia ishte e sajuar dhe e montuar.
Në dosjen amerikane është publikuar biseda dhe dëshmia në Hagë, mes dëshmitarit H.S dhe njeriut të dytë të prokurorisë së Dhomave të Specializuara, Alan Tieger. Alan Tieger ishte zëvendës i Jack Smith.
Në dëshminë e tij të cilën e kanë publikuar mediumet amerikane, bisedë kjo e incizuar nga dëshmitari H.S, ai tregon se gjithçka që ka dëshmuar në Hagë ishte përgatitur nga Faik Imeri.
“Kështu që doja të them, të gjithë dëshminë që ju dhashë në Hagë, unë u përgatita nga agjenti i CIA-s“, i tregon dëshmitari H.S, prokurorit Alan Tieger.
Një pjesë nga dëshmia e dëshmitarit H.S me prokurorin Alan Tieger e publikuar në mediumet amerikane.
Tieger: A qëndroni pranë kësaj, apo thoni se ju është thënë ta thoni atë nga personi juaj i CIA-s?
H.S: Kështu që unë besoj se ky person i CIA-s është shumë i besueshëm, sepse, nëse nuk do ta mendoja se ai ishte i besueshëm, nuk do ta thoja këtë dhe nuk do ta jepja atë informacion.
Tieger: Dhe informacioni që dhatë në tetor të vitit 2020, erdhi nga një sërë burimesh të ndryshme, apo vetëm nga ky person i CIA-s?
H.S: Vetëm nga CIA, zotëri, vetëm nga agjenti i CIA-s.
Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari H.S tregon se fillimisht i kishin thënë se nuk ka fakte për ta arrestuar Thaçin dhe duhej ndihma e tij për ta nxitur arrestimin e tij. Në fund ai tregon se e gjithë dëshmia ishte e sajuar.
Pse është alarmuar opinioni dhe mediumet amerikane? Kush e përpiloi dosjen 151 faqesh dhe çka përmban ajo?
Ish-analisti i CIA-s, Larry Johnson ka reaguar së fundmi pas publikimit të dosjes kundër ish-kryeprokurorit Jack Smith dhe Faik Imerit i cili paraqitej si agjent i CIA-s për të mbledhur dëshmitarë të rremë kundër Thaçit, Veselit e të tjerëve.
Sipas ish-analistit të CIA-s, John Mynihan është eksperti më i mirë në botë për pastrimin e parave dhe krimet financiare. John mësoi për përfshirjen e pretenduar të Jack Smith falë një informacioni nga një mik dhe agjent i DEA, i cili kishte një informator konfidencial, i cili e njoftoi atë për skemën e zhvatjes në ICJ (siç thuhet në ankesë).
Disa detaje të tjera nga dosja:
Së fundmi, në dosjen 151 faqesh që tani iu ka dorëzuar edhe inspektoratit të CIA-s, dëshmitari H.S ka treguar edhe për dosjet e famshme të Hagës të cilat erdhën në zyrat e veteranëve e të cilat i kishte përgatitur në Beograd Faik Imeri, zyrtari i lartë i BIA-s serbe Bojan Dimiq dhe krimineli Milan Radojçiq. Dëshmitari H.S ishte pjesë e këtij takimi duke menduar gjithnjë që Faik Imeri “Floriani” ishte agjent i CIA-s, pasi ky i fundit i ka prezantuar kartelën e CIA-s, dosjet e dokumentet e tjera. Qëllimi i dosjeve ishte dëmtimi i krerëve të UÇK-së. Po ashtu, përgjimi i zyrtarit të lartë të BIA-s serbe Bojan Dimiq tanimë ka dalur në mediat vendore, ku ai shprehet i gëzuar për arrestimin e krerëve të UÇK-së.
H.S ka dëshmuar se si Faik Imeri në emrin e CIA-s e kishte ftuar për ta asistuar në operacionin e dosjeve.
“Një ditë në fund të korrikut ose në fillim të gushtit, ne po flisnim në telefon nëpërmjet aplikacionit të njohur si Signal. Floriani më pyeti nëse isha gati të asistoja në operacionin në Kosovë. Dy-tri ditë më vonë, ai më thirri përsëri dhe më tha se “zyra jonë nga Agjencia dhe Prokurori Jack Smith” kishte vendosur të më përfshinte në operacion. Ai tha se kanë përgatitur disa dosje të kriminelëve të luftës që ndodhen në Kosovë. Dosjet ishin në Beograd. Florianit i duhej që dosjet të dilnin ilegalisht në Kosovë. Ai tha se prokurorët kishin shpenzuar shumë para për hetimin e tyre të krimeve të luftës. Unë iu përgjigja: “Si mund të ndihmoj?” Ai tha se kur të dalin dosjet në Kosovë, do të jetë alarm i madh. Ai tha se këto janë dosje sekrete nga Prokuroria për krimet e luftës. E pyeta se cili do të ishte roli im në operacion. Ai tha se prokurori Jack Smith tha se ne nuk kemi ende prova të mjaftueshme për të arrestuar njerëzit dhe ata duhet të ndryshojnë taktikën e tyre. Ai shpjegoi se roli im në operacion do të ishte t’i ndihmoja ata të merrnin provat që u nevojiteshin. Floriani tashmë kishte nxjerrë informacione në Kosovë përmes asistencës serbe. Mendova se ishte me shërbimet e inteligjencës serbe. Kur do të publikoheshin dosjet dhe personat në dosje filluan të panikohen, detyra ime do të jetë t’i afrohem këtyre njerëzve dhe t’u kërkoj para për të hequr emrat e tyre nga dosjet dhe akuzat për krim. Floriani shpjegoi se kjo do të ishte taktika që do të përdorej. Nëse populli do të pranonte të paguante paratë, Prokuroria do ta dinte se ata ishin fajtorë. E pyeta Florianin: Po sikur të na japin para? Floriani shpjegoi se unë do të merrja 10% të të gjitha parave që ishin paguar dhe se 90% e mbetur do të hynin në llogarinë e tyre të zezë për të financuar operacionet e ardhshme në Kosovë nga zyra e Prokurorit” thuhet në dëshminë e tij.
Më tutje, ai ka treguar se si e kishin organizuar një takim në Beograd, ku pjesëmarrës ishte edhe Milan Radojçiq, Bojan Dimiq e komandanti i Xhandarmërisë.
“Një ditë pasi mbërritëm në Beograd, do të shkonim për një drekë. Unë supozova se do të takoheshim me disa njerëz amerikanë. Në vend të kësaj, ne u takuam me përgjegjësin e dytë të inteligjencës serbe, Bojan Dimiq, komandantin e Xhandarmërisë dhe Milan Radojcic, një politikan i njohur radikal serb i lidhur me mafian. Gjatë takimit që zgjati dy orë e gjysmë, Floriani më tha afërsisht njëzet herë të dilja dhe të pinte një cigare që të flisnin privatisht. Kur mbaruam, kthehemi në hotel. Në hotel e pyeta Florianin se kur do të takoheshim me amerikanët. Ai tha ndoshta të nesërmen“, thuhet ndër të tjerash në rrëfimin e dëshmitarit H.S i cili i ka rrëfyer të gjitha këto edhe në Gjykatën Speciale dhe tek konsulenti i DEA-s amerikane.