“Kurrgjë s’ka folë”, avokati i Dardan Krivaqës: Nuk e kundërshtoi masën e paraburgimit, s’e di çfarë probleme shëndetësore ka pasur
Admir Salihu, avokat i të akuzuarit kryesor për vrasjen makabre të 18-vjeçares M.O., Dardan Krivaqa, ka thënë se klienti i tij nuk ka folur asgjë në paraqitjen e sotme para Gjykatës Themelore në Ferizaj për caktimin e paraburgimit ndaj tij.Ndërsa po e presin vendimin e gjykatës për caktimin e paraburgimit, Salihu tha se klienti i tij nuk ka folur as me atë dhe as nuk i ka dhënë autorizim që avokati të flasë në emër të tij.“Ende po e presim vendimin e gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit. Klienti im nuk ka deklaruar asgjë. As me mua nuk ka folur. Në këtë fazë është mbrojtur në heshtje. Kurrgjë s’ka folë. As mua nuk më ka dhënë autorizim që të flasë për të. E ka shfrytëzuar të drejtën me u mbrojtë në heshtje”, tha Salihu për Express.Ai tregoi se Dardan Krivaqa nuk e ka kundërshtuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.“Nuk e ka kundërshtuar paraburgimin. Çështjet tjera vijnë me kalimin e kohës”, tha avokati.Në lidhje me gjendjen e keqe shëndetësore të Dardan Krivaqës, për shkak të së cilës u raportua se seanca u ndërpre për disa minuta, avokati Admir Salihu tha se mjekët kanë konstatuar se seanca mund të vazhdonte. Ai tha se nuk e di se çfarë problemesh shëndetësore pati klienti i tij.“Gjendja e tij shëndetësore ishte ashtu e keqe, por mjekët konstatuan se mund të vazhdonte seanca. Nuk e di (çfarë problemesh ka pasur), sigurisht emociale. Ndoshta ka edhe raport mjekësor që d otë bëhet, por atë e merr gjykata”, tha avokati Salihu.Dardan Krivaqa u dërgua sot për herë të parë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku u mbajt seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij. Ai u arrestua dje në fshatin Dardani të Ferizajt dhe u dërgua i prangosur në stacionin policor të këtij qyteti, pak pasi aty afër u mbajt një protestë ndaj neglizhencës së institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës dhe vrasjeve të grave.18-vjeçarja M.O. të dielën u dërgua dhe u la e vdekur në emergjencën e Ferizajt. Atje e çuan Dardan Krivaqa, me të cilin ishte e martuar, dhe Arbër Sejdiu, i cili u arrestua po atë ditë. Ndaj Arbër Sejdiut, Gjykata tashmë e ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.