Kurti: Bashkësia ndërkombëtare ta sanksionojë Serbinë – nëse kjo nuk ndodh, mund ta përsërisë krimin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tashmë është e qartë se shteti serb qëndron prapa sulmit terrorist të së dielës në veri të Kosovës.
Kryeministri Kurti i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta sanksionojë Serbinë, në të kundërtën, siç u shpreh ai, nëse Serbia s’ndëshkohet, ajo mund ta përsërisë krimin, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti tutje tha se Mbrojtja Civile e Brigada e Veriut duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike e aleate, ashtu siç bëri Kosova.
“Të dielën përjetuam sulm agresor të bandave kriminale e terroriste të Serbisë, jo vetëm ndaj Policisë së Kosovës por ndaj shtetit, Republikës, rendit e sigurisë. Ishte ditë e rëndë për vendin tonë dhe mbarë kombin tonë. Vrasja e heroit Afrim Bunjaku tij u kthye në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave terroriste dhe në fitoren e Policisë sonë. Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës. U pa se çfarëdo grupesh kriminale e terroriste nuk kanë kurrfarë seanca me Policinë e Kosovës. Ata u vranë, a arrestuan ose po ikin sepse janë në ndjekje. Sulmuesit të cilët arritën të ikin duhet të ekstradohem, dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës. Mbrojtja Civil e Brigada e Veriut duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike e aleate ashtu siç e bëmë ne. Për këtë akt të agresionit Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet. Nëse kalon e pandëshkuar, ajo do ta përsëris krimin. Armët luftarake që i kishin profesionistët serbë janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë. I gjithë ky armatim i konfiskuar është prodhim i Serbisë, erdhi nga Serbia dhe për nga sasia ishte për një ushtri të tërë. Bëhet fjalë për një bandë terroriste. Ju falënderoj edhe juve deputetë për kontributin tuaj duke qëndruar pranë qytetarëve dhe me qëndrimet tuaja dënuese në këto momente të rënda për vendin”, u shpreh Kurti në seancën e sotme të Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës është pajtuar që të hartojë një projekt-rezolutë për dënim të sulmeve që kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.
Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë. /Reporteri.net/