Kurti dhe Konjufca pas takimit me Palmer: Sigurimi i vaksinës dhe dialogu me Serbinë prioritete të qeverisë
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe anëtari i Kryesisë, Glauk Konjufca kanë zhvilluar takim virtual me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, njofton Insajderi.Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka thënë se në këtë takim mes tjerash diskutuan për nevojën urgjente të Kosovës për vaksina dhe për dialogun Kosovë-Serbi.“Sot kam pasur një takim virtual me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matt Palmer dhe ambasadorin Kosnett. Ne diskutuam nevojën urgjente të Kosovës për vaksina, rëndësinë e investimeve të Shteteve të Bashkuara dhe koordinimin midis SHBA dhe BE mbi dialogun”, shkroi Kurti.Ai tha se Palmer e përgëzoi për fitoren në zgjedhje dhe shprehu mbështetjen e tij.Radhitja e temave që u diskutuan në këtë takim virtual vë në pah faktin se Kurti ka zbutur qëndrimin e tij karshi dialogut si prioritet të gjashtë ose shtatë siç kishte deklaruar pasi i fitoi zgjedhjet.