Kurti e quan Vuçiqin ‘Putini i vogël’ dhe thotë: Paqja dhe siguria kurrë s’ka qenë më e kërcënuar

                        Kryeministri Albin Kurti përmes një shkrimi të gjatë ka folur për luftën që po zhvillohet në Ukrainë, dhe ka thënë se më shumë se kurrë Putini është i interesuar që luftën në Ukrainë ta shpërndajë në vatra tjera.Kurti shton më tej se “me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës” dhe Putinin e vogël të Serbisë, siç e quan presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar, shkruan Reporteri.net.

Postimi i plotë i Kurtit:“Kur të na sulmoni, do të shihni fytyrat tona, jo shpinën” – Volodymyr Zelenskyy, 23 shkurt 2022Në ora 4 të mëngjesit të 24 shkurtit 2022, Federata Ruse nisi pushtimin, pra sot bëhen dy muaj nga fillimi i këtij agresioni të paprovokuar e të pajustifikuar ndaj Ukrainës.Deri me 22 prill, Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Ukrainë ka regjistruar 5,381 viktima civile prej tyre 2,435 të vrarë dhe 2,946 të plagosur.Nga të vrarët 746 janë burra, 469 gra, 48 vajza dhe 66 djem si dhe 70 fëmijë kurse për 1,036 gjinia mbetet e paditur. Më shumë se 11 milionë persona janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre ndërsa më shumë se 5.1 milionë janë refugjatë jashtë Ukrainës.
Qytete të tëra janë dëmtuar nga lufta, kurse Mariupoli, pothuajse është shkatërruar tërësisht. Ky qytet në Bregun Verior të detit Azov është arterie ekonomike për Ukrainën e ku Rusia po bën betejën për të krijuar një korridor tokësor mes Krimesë dhe Donbas-it.Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se Ukraina ka pësuar humbje nga lufta në vlerë prej 550 miliardë dollarë dhe se 7 miliardë dollar i duhen Ukrainës çdo ditë për të vazhduar rezistencën e mbijetesën kundrejt ofensivës të Rusisë.Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojë dhe vrasin njerëz duke qëlluar mbi fëmijë; shtëpi e njerëz të djegur, masakra e varreza masive janë pamjet e vuajtjet në Ukrainë që ne në Kosovë i ndjejmë e na therin në zemër sepse i kemi përjetuar e provuar thellë nën lëkurën tonë.Prandaj edhe jemi solidarizuar që nga dita e parë e sulmit. Kosova ka qenë e para në ndriçimin e ndërtesës së qeverisë me ngjyrat e flamurit ukrainas e ndër të parët që ju kemi bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe ShBA-së kundër Federatës Ruse. Kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në 5,000 refugjatë, jemi zotuar për të pranuar e ofruar kushte për punë për 20 gazetarë dhe kemi hequr vizat për Ukrainasit. Znj.Lyudmila Makey është bërë tashmë banore e Prishtinës.Në dymujorin e luftës në Ukrainë është mirë të kujtojmë jo vetëm tmerret e kësaj lufte por edhe të reflektojmë se si filloi ajo dhe rrezikun që përbën jo vetëm për të tashmen e të ardhmen e Ukrainës, por për të ardhmen dhe paqen në kontinentin tonë.Në njërën anë, luftës së vërtetë i parapriu lufta hibride. Një luftë speciale me dezinformata përmes mediave të komprometuara që shtrembëronin të vërtetën dhe me disa deklarata pompoze të cilat duke qenë aq të drejtpërdrejta e të frikshme, bota i mori për propagandë.
Në një tekst të gjatë prej 5,000 fjalëve “Për unitetin historik të Rusëve dhe Ukrainasve” nga korriku 2021 ku autor ishte vetë presidenti i Rusisë Vladimir Putin, ai shfaqë nostalgjinë dhe hidhërimin e tij me të kaluarën duke na treguar qartë synimet e tij për marrjen e Ukrainës. Sipas tij, ukrainasit duhet bashkuar me vëllezërit rus meqë Ukraina nuk ekziston, por është thjesht krijesë e Bashkimit Sovjetik që mbrohet nga NATO dhe perëndimi. Pastaj një sërë akuzash me të pavërteta për “gjenocidin ukrainas kundër popullit rus në Donbas” dhe për regjimin “Neo-Nazist” të qeverisë së Ukrainës e cila për ironi drejtohet nga një president me prejardhje hebreje, gjersa anëtarët e familjes së tij u vranë gjatë Holokaustit kurse të tjerët luftuan në radhët e Ushtrisë së Kuqe kundër nazistëve. E në anën tjetër, një mohim i asaj çfarë na shfaqej para syve tanë: pak ditë para sulmit, madje në kohën kur ishin afër 150 mijë trupa në kufirin me Ukrainën, Rusia thoshte se nuk ka plan të pushtojë Ukrainën dhe fajësonte ShBA-të për plane agresive! Madje edhe në ditën kur sulmuan më 24 shkurt thanë se “nuk kemi ndërmend të shkaktojmë asnjë luftë. Ne nuk do të pushtojmë Ukrainën siç po akuzohemi në vetë Ukrainën dhe jo vetëm atje.”
Të shumtë ishin ata që e nënvlerësuan Putinin. Ndoshta sepse askush nuk dëshironte luftë, apo mbase një luftë e tillë ishte e paimagjinueshme në Evropë, apo edhe kushedi ata që e njihnin Putinin për aq shumë kohë, nuk ju dukej aq i çmendur sa të fillonte një luftë të tillë.
Madje edhe kur lufta filloi, të shumtë ishin ata që shpresonin në një operacion të shkurtë e në një përfundim të shpejtë të saj, prandaj edhe hezituan të dërgojnë armë. E kur realiteti mbizotëroi, filluan me armë të lehta, pastaj shtuan sasinë, kurse tash që lufta po intensifikohet po shtohen edhe ndihmat me armët e rënda ushtarake.E pikërisht tani, kur Putini është zhytur në luftë, kur humbjet në Ukrainë e sanksionet mbi ekonominë po përkeqësojnë gjendjen në Rusi, e kur asaj nuk i ka mbetur asnjë aleat në perëndim por edhe asnjë dalje fituese nga kjo luftë, dëshpërimi është rritur në kulm. Tani më shumë se kurrë Putini është i interesuar që luftën në Ukrainë ta shpërndajë në vatra tjera. Strategjia e tij “eskalim për de-eskalim” nuk i funksionoi deri më tani falë rezistencës çlirimtare e heroike të qytetarëve ukrainas dhe tani ai don hapjen e vatrave të luftës në rajone e vende të tjera deri te kërcënimi nuklear në mënyrë që të krijojë kushte më të mira për të “dalë fitues” nga kjo luftë.Natyrisht, ai do të donte një Jaltë të dytë. Ai nuk dëshiron të ulet për bisedime e marrëveshje me Zelenskyy. Putini synon që me Presidentin Biden të ndajë Evropën në sfera të ndikimit sikur në përfundim të Luftës Dytë Botërore. Por, kjo s’është e mundur, sikurse as kthimi në status quo. Këto rrugë pa fitore e pa dalje të ndershme për Putinin e bëjnë Kremlinin rrezikun numër 1 për paqen, sigurinë, demokracinë dhe mirëqenien e Evropës.Në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putini, fqinji ynë verior organizon tubime mbështetëse për Putinin duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë. Miqtë e tij në Serbi e Republika Srpska synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan e për Ballkan. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë i cili refuzon të sanksionojë Rusinë e siç e pamë këto ditë, madje është edhe e gatshme të braktisë procesin e integrimit në BE vetëm për t’i qëndruar besnik Putinit.Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar.Taktika të njëjta të inskenimeve të ngjarjeve e sulmeve për të fajësuar palën tjetër i kemi parë edhe në rajonin e vendin tonë. Ata që besojnë se atë çfarë thotë Beogradi, që vazhdimisht armatoset nga lindja e veri-lindja, nuk duhet ta marrim seriozisht sepse e ka për konsum të brendshëm e për fushatë elektorale, në rastin më të mirë janë naivë.Kështu thoshin edhe për Putinin.Ja që përfundoi fushata elektorale dhe i fitoi zgjedhjet partia-shtet por sanksionet ndaj Rusisë nuk i vendosi.Mund të duket mbivlerësim kur thuhet që në Ukrainë po përcaktohet e ardhmja e botës, por mbase është nënvlerësim nëse thuhet vetëm që aty po mbrohet Evropa dhe demokracia. Fashizmi nuk është i rezervuar për Gjermaninë e Italinë ndërmjet dy luftërave botërore apo Kilin e Pinoçetit para gjysmë shekulli. Secili komb a shtet mund të përfundojë në fashizëm.Për fatin e keq të botës, sot kjo i ka ndodhur një fuqie nukleare.