Kurti flet për raportet me ShBA-në: Ka “dendësi të komunikimit e bashkërendimit”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme pas takimit që kishte me liderët opozitarë, ka thënë se nuk ka prishje të raporteve me SHBA-në. Madje, sipas kryeministrit ka “dendësi të komunikimit të bashkërendimit”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Kurti tha se koordinimi dhe komunikimi e kontaktet me QUINT-in, BE-në, SHBA-në, NATO-n, KFOR-n e EULEX, janë të vazhdueshme dhe “ndodhin disa herë në ditë”.“Takimi që pata sot në mëngjes me krerët opozitar ishte takim shumë i mirë, njoftues për situatën politike dhe të sigurisë me bashkëbisedim të hapur dhe serioz. Përshtypja ime është se krerët opozitarë janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues. Së pari nuk bëhet fjalë për kurrfarë prishje të raporteve siç e kam thënë edhe dje, koordinimi, komunikimi e kontaktet me QUINT, BE e SHBA-të, NATO-n, KOFR e EULEX, janë të vazhdueshme, ndodhin nga disa herë në ditë, andaj nuk është e vërtetë se ka kurrfarë cenimi të raporteve, përkundrazi ka dendësi të komunikimit të bashkërendimit”, u shpreh Kurti.Kurti foli edhe për planin e Qeverisë, për dalje nga situata. Ai tha se plani i veprimit është plan i organizatave të sigurisë.“Plani i veprimit është plan i organizatave tona të sigurisë. Ato bëjnë vlerësimet mbi veprimet dhe reagimet që i bëjmë. Gjithçka është duke shkuar sipas ligjit e rregullave. So është tejkaluar numri prej 900 qortimeve. Kjo vazhdon deri më 21 nëntor, pastaj kalohet tek gjobat siç i parasheh ligji. Nuk janë vendime qeveritare por janë ligje shtetërore”, tha Kurti. /Reporteri.net