Kurti: Kemi projekte dhe plane konkrete për mbrojtjen e personave të trafikuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fushatën kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Ditën e Bashkimit Evropian për Antitrafikim ka bërë thirrje për më shumë punë dhe angazhim në parandalimin e personave të trafikikuar. Kurti thotë se vetëm këtë vit janë 15 viktima, ku prej tyre 11 viktima vajza janë shfrytëzuar për prostitucion të detyruar. “Vetëm këtë vit kemi 15 viktima të trafikimit, 14 prej të cilave janë vajza, prej të cilëve 11 nën moshën 18-vjeçare. 11 nga viktimat janë shfrytëzuar prostitucion të detyruar, 3 për punë të detyruar dhe një për kërkim-lëmosh”, ka thënë ai. Po ashtu, Kurti në lidhje me këtë tha se si Qeveri kanë projekte dhe plane konkrete për grupet më të cenueshme të trafikimit.“Institucionet duhet të jenë të pakompromis të kësaj dukurie. Detyrë e jona si qeveri mbetet luftimi dhe adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit sikurse që janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit. Për këtë si Qeveri kemi projekte dhe plane konkrete në investimin e ekonomisë dhe edukimit, por edhe në mbrojtje, siguri për të gjithë e në veçanti për grupet më të cenueshme”, deklaroi ai.Shefi i ekzekutivit theksoi se që nga viti 2021, 60 persona janë arrestuar për trafikim me njerëz.“Që nga viti 2021 deri më sot, për veprat penale të kësaj natyre, janë arrestuar 353 persona të dyshuar dhe janë ngritur 128 kallëzime penale ndaj 257 personave të përfshirë. Kurse për periudhën e njëjtë vetëm për trafikim me njerëz janë arrestuar 60 persona, janë ngritur 31 kallëzime penale ndaj 80 personave të përfshirë. Duhet të punojmë që të përmirësojmë këtë gjendje në veçanti në lidhje me identifikimin pro aktiv të viktimave, duke siguruar ndihmë si dhe duke rritur ndjekjen dhe dënimin meritor ndaj autorëve të krimit. Bëj thirrje për më shumë punë dhe angazhim për pandalimin e trafikimit me qenie njerëzore”, ka deklaruar Kurti.