Kurti kryetarëve të komunave ua prezanton arritjet: T’i vazhdojmë bashkë punët e nisura
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë qeverisjes së tij, Bruto Produkti Vendor është rritur me 33 për qind ndërkaq buxheti i shtetit me 35 për qind.
Këto komente, shefi i Qeverisë i bëri në takimin me kryetarët e komunave për koordinim ndërinstitucional për Strategjinë Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve; ndërlidhjen e qytetarëve me adresë zyrtare; Kontratën Kolektive etj.
Madje tha se këtë vjeshtë në Kosovë janë 425 mijë të punësuar dhe se janë shpërndarë 1.3 miliard euro te qytetarët dhe te bizneset përmes masave të shumta.
“Situata ka ndryshuar në mënyrë pozitive, këtë vjeshtë në Kosovë kemi me 425 mijë të punësuar, ndërkaq në pranverën e vitit 2021 ishin 350 mijë të punësuar. Ekonomia në këto vite, përkatësisht Bruto Produkti Vendor është rritur me 33 për qind ndërkaq buxheti i shtetit me 35 për qind. Janë shpërndarë 1.3 miliard euro te qytetarët dhe te bizneset përmes masave të shumta”.
“Gjithashtu kemi një ngritje të pagës minimale, ndërsa tash kemi prezantuar skemën pensionale. Një arritje tjetër ku përfitojnë komunat është janë përzgjedhur lokacionet, ndërsa tani janë nënshkruar pesë komuna. Vlen përmendet ndërtim i shtëpive nga MAPL nëpër komuna”, u shpreh Kurti.
Ai përmendi edukimin e gjeneratave të reja përmes arsimit dual. Kurti tha se “sot i kemi 12 profile me mbi 2500 nxënës”, ndërsa iu kërkoi kryetarëve të komunave rritjen e numrit të nxënësve, profileve dhe shkollave. Kurti kërkoi që “punët e mbara t’i vazhdojmë”, ndërsa tha se Qeveria do t’u ndihmojë komunave.
“Ju inkurajoj të gjithëve që e keni tashmë mësimin dual, ta rrisim bashkërisht numrin e nxënësve, numrin e profileve, numrin e shkollave, ndërkaq ju të nderuar kryetarë e nënkryetarë të komunave që nuk e keni ende sistemin e arsimit dual, është mirë që sa më parë të fillojmë një bashkëbisedim që ai të vendoset edhe aty ku ende nuk është”, tha ai.
“Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar e për t’ju përkrahur, andaj edhe për këtë le ta intensifikojmë dialogun e bashkëpunimin”.