Kurti kujton masakrën e Lubizhdës së Hasit: 27 vjet nga krimet e luftës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot 27-vjetorin e masakrës në Lubizhdë të Hasit, një nga krimet e rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë në prill të vitit 1999.

Sipas tij, më 12 prill 1999, forcat e Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave rrethuan zonën ku ishin strehuar banorët e fshatit, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe duke ushtruar dhunë të rëndë ndaj tyre.

Të mbijetuarit kanë dëshmuar për tortura, ekzekutime të planifikuara, maltretime, plaçkitje, dhunime dhe dëbime të dhunshme, në kuadër të fushatës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Gjatë këtyre sulmeve, sipas Kurtit, u vranë 40 civilë shqiptarë të paarmatosur, ndërsa në përballje me forcat serbe ranë edhe 14 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mbrojtje të popullsisë civile.

Kurti theksoi se sakrifica e tyre përbën një vlerë themelore në rrugën e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, duke nderuar dëshmorët dhe martirët që ranë për lirinë e vendit.