Kurti: Mirënjohës Turqisë për të furnizuar ushtrinë tonë me dronët Bayraktar

                                   Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në pritjen për nder të 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se Kurti u shprehu urimet e tij më të përzemërta Presidentit të Turqisë, Erdogan dhe gjithë popullit të Turqisë. Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, sipas njoftimit, Kurti u shpreh se dy vendet ndajnë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm. “Ky shkëmbim i thellë idesh, traditash dhe përvojash, përgjatë shumë brezave, vazhdon edhe sot të ushqejë marrëdhënien tonë, duke krijuar lidhje të pathyeshme miqësie”, ka thënë Kurti. Më tej, kryeministri veçoi se mbështetja e palëkundur e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës vlerësohet thellësisht nga populli i Kosovës.Ai ka veçuar gatishmërinë e tyre për ta furnizuar ushtrinë e Kosovës me dronët Bayraktar. “Në një kohë kur siguria e vendit tonë përballet me kërcënimin e agresionit serb, bashkëpunimi ynë me Turqinë në fushën e mbrojtjes ka marrë një rëndësi të re. Në veçanti, ne jemi mirënjohës për gatishmërinë e Turqisë për të furnizuar ushtrinë tonë me dronët Bayraktar. Ushtria jonë ka bërë të më mirën e mundshme për t’i ardhur në ndihmë gjithashtu popullit turk, duke dërguar menjëherë një mision kërkim-shpëtim në Hatay pas tërmetit shkatërrues atje në fillim të këtij viti”, shtoi ai.