Kurti në Forumin “Invest in Prizren”: Qeveria jonë është partnere dhe aleate me bizneset që punojnë ndershëm dhe respektojnë ligjet
Kosova është në qendër të Evropës Juglindore me infrastrukturë të mirë dhe qasje në tregun rajonal dhe atë evropian mbi bazën e marrëveshjeve rajonale dhe Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit me Bashkimin Evropian.Nga Lidhja e Prizrenit ku jemi sot, sikurse edhe nga Parku i Inovacionit dhe Teknologjisë, porti i Durrësit është më pak se 3 orë larg. Nga Aeroporti i Kukësit jemi vetëm gjysmë ore dhe ai i Prishtinës një orë larg. Këta janë parametra që i duhen secilit investitor për të hapur biznesin e tyre këtu në Kosovë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës në fjalën e rastit, në hapje të edicionit të dytë të Forumit “Invest in Prizren”.Kryeministri Kurti numëroi edhe indikatorë të tjerë që e bëjnë Kosovën një vend ideal për investime: Bruto Prodhimi Vendor është projektuar të ketë rritje 7.9% sivjet, pagat mujore të fuqisë punëtore mund të konkurrojnë me ato në rajon dhe janë joshëse për investitorë që kërkojnë te bartin pjesën operacionale dhe atë të prodhimtarisë në një vend evropian. Shkalla e inflacionit është e ulët që paraqet rrezik të ulët për investitorët.Korniza ligjore ofron lehtësi dhe kompensime për investimet që blejnë makineri, apo që pësojnë humbje si edhe eliminon procedurat e gjata burokratike dhe shpejton hapjen e bizneseve.Të gjithë këta, sipas kryeministrit, janë parametra të një vendi që është i gatshëm për investime dhe siç tha ai, tash kemi edhe një qeveri që është e gatshme t’ju ndihmoj bizneseve dhe investitorëve. “Koha kur investitorëve u kërkohej ryshfeti për të filluar e haraç në fitim ka kaluar. Qeveria jonë është partnere dhe aleate me të gjitha bizneset që punojnë ndershëm dhe respektojnë e zbatojnë ligjet”, tha kryeministri Kurti.