Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit: Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia

                        Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në samitin e Procesit të Berlinit që po mbanë punimet në Tiranë. Në fjalën e tij para homologëve nga vendet e ndryshme të BE-së dhe rajonit, Kurti përmendi sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku tha se ishte një akt i ligë i sponsorizuar nga Serbia “Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë”, ka thënë Kurti. Kurti ka deklaruar se një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar.Kryeministri ka shtuar se qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku.“Ne si udhëheqës të tyre kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim. Kërkohet një angazhim me mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve tona dhe respektimin e të gjitha palëve të investuara në proces”, u shpreh Kurti.