Kurti pas kërkesës së SHBA-së për vazhdimin e dialogut, thotë se nuk hyn te prioritetet e tij
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se nuk i nënçmon bisedimet me Serbinë por nuk mund t’i shndërrojë ato në përparësi të punës së qeverisë së ardhshme.Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Kurti renditi ndër synimet e para projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia.“Ne nuk duam ta evitojmë dialogun e ta nënçmojmë rëndësinë e tij, mirëpo konsiderojmë se qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë zgjedhur për të sjellur drejtësi dhe punësim dhe natyrisht që është urgjente të merremi me pandeminë COVID-19. Në bazë të të gjitha matjeve të opinionit publik në Kosovë, kur i pyet qytetarët se çfarë rëndësie i jepni dialogut me Serbinë, është zakonisht në vendin e gjashtë apo shtatë, unë do të mund ta bëjë le të themi një koncesion dhe ta sjellë atë në vendin e katërt pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë, por nuk mund ta sjellë në top dy prioritetet. Pra, nuk dua ta nënçmoj por edhe nuk mund të them që do të jetë në top dy prioritetet sepse po dalim nga një fitore gjigante e lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën qytetarët na votuan për atë që u duhet atyre më së shumti”, tha Kurti.Ai tha se këto ditë duhet të flitet më shumë për pavarësinë sesa për Serbinë.“Kur kemi parasysh që zgjedhjet u mbajtën me 14 shkurt, pra në vigjilje të 13 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne jemi të bindur që këto janë ditët kur duhet të flasim shumë më tepër për pavarësinë sesa për Serbinë”, tha Kurti.