Kurti zotohet për finalizimin e rrugës Prizren-Tetovë

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se në mandatin e ri synon “drejtësi historike ndaj një padrejtësie gjeografike” përmes finalizimit të rrugës Prizren-Tetovë, që do të lidhë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“Në Prizren e kemi një projekt për zemër. Rruga Prizren-Tetovë. Ne vendosim drejtësi historike ndaj një padrejtësie gjeografike. E punimet për rrugën që lidhë Prizrenin dhe Tetovën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, shqiptarët në të dyja anët e kufirit, kanë filluar dhe po ecin me shpejtësi”, ka deklaruar ai, duke treguar specifikat e projektit.

Nga palestra “Rexhai Surroi” në Prizren, ai ka premtuar investime në spitalin e qytetit, të cilin, sipas tij, do ta bëjnë model për Kosovën dhe rajonin.

“Spitali i Prizrenit mbulon zonën rajonale të dytën më të madhe në Kosovë pas Prishtinës… Në mandatin tjetër, me investimet që do t’i bëjmë, ai do të bëhet një spital model për Kosovën dhe rajonin”.tha ai.