Kurtishaj e konsideron si të padrejtë rritjen e çmimeve nga komplekset turistike në Durrës
Ngritja e çmimeve në bregdetin e Durrësit ka bërë që shumë kosovarë të drejtohen për destinacione tjera. Më shumë të frekuentuara po dalin të jenë Shëngjini dhe Velipoja, ka bërë të ditur pronari i kompanisë turistike, “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj, raporton Ekonomia Online.
Kurtishaj e konsideron si të padrejtë rritjen e çmimeve nga komplekset turistike në Durrës.
Ai thotë se këto dy vende turistike janë bërë destinacion edhe për të rinjtë kosovarë. Ai thotë se Shëngjin e Velipojë janë ndërtuar komplekse të mëdha turistike.
“Është për keqardhje që viti 2023, përkatësisht muaji korrik ka ngritje të çmimeve në gjithë globin sa i përket pushimeve verore. Ka ngritje enorme sidomos Turqia të çmimit të aranzhmanëve turistike verore. Shqipëria ka një ngitje por jo në atë nivel. Sigurisht se Shëngjini është prej top-destinacionet turistike ku shumë të rinj e të reja ia kanë mësyrë këtij vendi, ku përpara moshat më të vjetra kanë shkuar në Shëngjin e Velipojë”, thotë ai, teksa jep edhe arsyen e ndryshimeve nga Durrësi në këto dy vende.
“Në Shëngjin e në Velipojë ka një numër të madh të qytetarëve që po i kalojnë pushimet për shkak të çmimeve të lira. Ku krejt kësaj i shtohet numri i madh i komplekseve të mëdha turistike. Ky ndryshim nga Durrësi për në Shëngjin ka ardh për shkak të çmimeve më të lira që ka ky vend”, u shpreh ai.
Teksa ka folur për ndryshimet në çmime, Kurtishaj ka treguar edhe arsyen që i ka detyruar këto komplekse t’i ngritin çmimet.
Ai hotë se një ndër arsyet ka qenë shitja e paketave me çmime të lira dhe me ndryshimet e lekut karshi euros.
“Durrësi këtë vit ka ngritur çmimet në muajin korrik dhe është një rritje goxha e madhe që kalon shifrën 20 për qind. Unë ju bëj thirrje komplekseve turistike në Durrës që të kenë durim dhe e kemi parasysh që e kemi një zhvleftësim të euros dhe përforcim të lekut në Shqipëri por kjo ka për të lënë pasoja me këtë ngritje të çmimeve”, thotë Kurtishaj, teksa e quan vendim jo të drejtë për pushuesit kosovarë, raporton EO.
“Me aq sa kam kuptuar, disa nga hotelet në brigjet e Durrësit i kanë shitur paketat e tyre turistike në muajt tetor dhe nëntor të vitit 2022 me çmime jashtëzakonisht të lira dhe me ndryshimet e lekut karshi euros, ata kanë krijuar një lloj pasigurie për shkak të ndryshimeve të çmimit. Nëse një qytetar ka marrë 55 euro për një ditë qëndrimi nga muaji nëntor, sot nuk është vlera e njëjtë e euros dhe tash po mundohen që me çmime të larta në sezonin verore ta mbulojnë me diasporën dhe kosovarët. Andaj, ky është një vendim jo i drejtë, ata duhet ta shohin qytetarin kosovar si pushues dhe këto ndryshimet e mëdha nuk duhet të bëhen në mënyrë të pakontrolluar”, thotë tutje ai.